VARESE - Artur Bushi kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Krujës, është denoncuar ditën e sotme nga Partia Demokratike, e cila duke cituar lajme të publikuara në mediat italiane, e akuzon si një person që është arrestuar për trafik droge.

Megjithatë krahas akuzave të Partisë Demokratike, janë edhe mediat italiane të cilat e kanë publikuar një lajm të tillë. Bëhet fjalë për 12 qershorin e vitit 2010, ku pas hetimeve disa mujore, autoritetet italiane bënë të mundur shkatërrimin e një bande të trafikut të drogës ndërsa arrestuan 7 shtetas shqiptarë.

Në prangat e policisë përfunduan Bledar Debrova ose “Debli”, 34 vjeç i njohur edhe si kapo i bandës, Ndricim Hidraliv ose “Cimi”, 30 vjeç, Bujar Hasani ose “Polpetta”, 26 vjeç, Roland Abesci ose Landi, 46 vjeç, Artur Bushi ose “Turi”, 34 vjeç, Besim Kadiv e Erjan Tarja ose “Eri”, 27 vjeç.

Sipas mediave italiane të asaj kohe banda e shqiptarëve ishte mjaft mirë e strukturuar, teksa kryente transport të sasive të konsiderueshme të drogës nga Holanda për në Itali dhe që më pas shitej në tregun e brendshëm.

Anëtarët e bandës kishin role të mirëpërcaktuara dhe që vepronin pa rënë në sy, aq sa edhe komshinjtë i njihni për “djem të mirë”. Çdo muaj katër anëtarë të bandës fluturonin me orare dhe mënyra të ndryshme drejt Holandës për t’u takuar më pas në Amsterdam ku bënin pagesën e drogës dhe më pas transportimin e saj në Itali.

Më pas lënda narkotike paketohej dhe tregtohej pa bërë shumë zhurmë nga anëtarët në tregun e brendshëm kryesisht në qytetet e Breshias, Modenas, Piaçencës dhe Lukas. 

artur bushi

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)