Në lidhje me akuzat e PD për raportin e drogës ka reaguar Policia e Shtetit me anë të një deklarate duke thënë se nuk ekziston një raport i fshehtë apo i çdo natyre tjetër  nga asnjë prej agjencive partnere ligjzbatuese lidhur me këtë çështje.
 
Ne deklaratën e policisë thuhet se bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me partnerët është i shkëlqyer, e falë shkëmbimit intensiv të informacionit janë arritur rezultate pozitive të pakrahasueshme më të kaluarën.

Deklarata e Policisë 

Referuar disa njoftimeve në media si dhe disa deklaratave të ndonjë subjekti politik lidhur me ekzistencën e një raporti sekret për kultivimin e kanabisit në Shqipëri, bëjmë me dije opinionin publik se nuk ka ekzistuar e nuk ekziston asnjë raport sekret apo i çdo natyre tjetër  nga asnjë prej agjencive partnere ligjzbatuese lidhur me këtë çështje.
 
Bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me partnerët është i shkëlqyer, e falë shkëmbimit intensiv të informacionit janë arritur rezultate pozitive të pakrahasueshme më të kaluarën.
 
Bashkëpunimi konkret me partnerët Italianë, si dhe angazhimi i Policisë në shkatërrimin e çdo parcelë të evidentuar, ka shënuar intensifikim maksimal vitet e fundit.
 
Është kjo arsyeja që është rritur eficienca e Policisë së Shtetit në identifikimin e kultivimit dhe shkatërrimit të narkotikëve.
 
Lajme të shpikura për raporte sekrete, jo vetëm synojnë denigrimin e punës  së Policisë, por synojnë gjithashtu dëmtimin e punës së përbashkët të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë, çka ndikon edhe në dëmtimin e imazhit të vendit.
 
Policia e Shtetit fton mediat që për çdo çështje për të cilën kërkohet informacion nga Policia e Shtetit, të interesohen pranë burimeve zyrtare të saj, duke u garantuar transparencë të plotë e gatishmërinë e strukturave për të respektuar legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit.
 
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton çdo subjekt politik të ndalë akuzat ndaj Policisë dhe punës së saj.
 
Sulmi ndaj Policisë i bën nder vetëm krimit.
 
Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)