SPAK ka nisur hetimet për deputetin e PS-së, Ervin Bushatin pas akuzave të PD-së për fshehje pasurie. Prokuroria e Posaçme do të hetojë për falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve të deklarimit të pasurisë.

Në përgjigje të saj, SPAK i drejtohet PD-së duke i thënë se nuk mund të japë informacione mbi procesin për shkak të sekretit hetimor, ndërsa për pretendimin e demokratëve për zvarritjen e këtij procesi thotë se ky është një konstatim i njëanshëm.

Në njoftimin e shpërndarë për media nga zyra e Partisë Demokratike thuhet se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK i konfirmoi PD-së kryetari i PS, Ervin Bushati është nën hetim për dy vepra penale në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë.

Në lidhje me kërkesën e PD, SPAK nënvizon se ka nisur hetime më datë 12 mars 2020.

SPAK thotë se në kushtet që çështja është nën hetim ruajtja e sekretit hetimor është e detyrueshme, shkelja e të cilit është vepër penale, ndaj nuk mund të japin informacion për çështje hetimore.

Sa i përket akuzave të PD për zvarritje të hetimeve SPAK i konsideron si një opinion të njëanshëm.

Ndërkohë që nga ana e saj PD pretendon se procedimi penal është në fazën e hetimit dhe po ndiqet prej 8 muajsh nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu, ndërsa PD vetë e ka depozituar kallëzimin që në tetor 2018 dhe çështja u kalua nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK, pas krijimit të kësaj prokurorie.

Në njoftimin e Partisë Demokratike thuhet se bëhet fjalë për mosdeklarimin e 7 pasurive të paluajtshme në emër të Ervin Bushatit, përfshirë më shumë se 3100 metra2 truall në Tiranë, Qerret dhe Sarandë.