TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore lidhur me akuzat e bëra nga PD-ja, Valdrin Pjetri dhe PS-ja i ka rrugët e ndara. Në reagimin e parë lidhur me këto akuza të njëpasnjëshme nga selia blu, kreu i qeverisë ka mohuar që të ketë pasur dijeni lidhur me dënimin e Pjetrit nga drejtësia italiane në vitin 2003. Ai shkruan se kurrsesi nuk e kishte menduar që Pjetri, do kishte gënjyer mbi të shkuarën e tij, teksa ka theksuar se kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, do të mbajë përgjegjësi dhe se pasojat e këtij veprimi do të jenë individuale.

"Jo Valdrini,po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual! I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht. E me këtë rast,të tërë ta fusin mirë në kokë:Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt!Shkoj në luftë për çdo ide,qëllim a shok armësh,po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS", shkruan Rama.

Ditën e sotme, PD-ja nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka publikuar disa dokumente, që sipas tyre është kartela e nxjerrë nga kuestura e Firences e cila tregon se Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge. Nga ana tjetër, Pjetri i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke thënë se është i hapur për çdo lloj verifikimi.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve politike, burime për Report Tv bëjnë me dije se Këshilli Bashkiak nuk do të konstituohet në datën 21 gusht, siç ishte planifikuar, madje gjasat janë që të bëhen edhe zgjedhje të parakohshme për këtë bashki, nëse akuzat e PD-së do të rezultojnë të vërteta.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama