TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi ka reaguar ndaj akuzave të publikuara sot në gazetën e Partisë Demokratike. Në faqen e parë të gazetës Rilindja Demokratike, shkruhej për një sherr mes ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe deputetit Doshi. Por në një reagim të sotëm, deputeti socialist ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra sot.

“Kryeredaktori i RD-ës Sali Berisha, vazhdon të merret me mua. Trillimi i rradhës është konflikti mes meje dhe Saimir Tahirit. Në atë artikull, RD-ist, e theksoj sepse shquhen për artikuj të dobët, kryeredaktori Sali, e ul aq shumë nivelin diskursit politik, aq sa guxon të hyjë në familje”, shkruan deputeti Doshi në reagimin e tij.

Deputeti socialist i Shkodrës, në reagimin e tij shkruan se, “Berisha ajo që sot keni shkruar në gazetën e familjes, nuk ka aspak lidhje me mua. Konflikti mes meje dhe Tahirit, është vetëm pjellë e imagjinatës të shthurur që ju karakterizon. Cekja e familjes është ekskluzivitet i juaji dhe jo i joni, edhe në nivel partishë, PS-ja nuk ka hyrë asnjeherë në të tilla diskutime”.

Ndërkaq, deputeti Tom Doshi i bën thirrje ish-kryeministrit Sali Berisha, që të ndalojë këto sulme, që ai i cilëson si absurde.

“Ju bëj thirrje sot, ti ndaloni këto sulme absurde, të cilat në thelb nuk tregojnë asgjë. Marrëdhënia ime me Tahirin është e mirë dhe korrekte dhe ju siguroj që lojrat e fatit imagjinare të cilat i lidhni me mua, ju cënojnë ju, këtë e demostrove edhe dje në parlament. Edhe njëherë po e theksoj, unë jam pro mbylljes totale të këtij lloj aktiviteti”, përfundon reagimi i deputeti të PS-së, Tom Doshi.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)