Fati i PD në Apel, përcaktohet trupa gjykuese! ‘Rithemelimi’ ka ankimuar njohjen e Alibeajt si palë në vendimin e Zhukrit! Gjykata: Deklaratat partiake të papranueshme! Berisha vijon presionin

Është hedhur shorti për caktimin e gjyqtarëve, që do të shqyrtojnë kërkesën e Ivi Kasos, ku i kërkon gjykatës që mos të pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt si palë, për vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili njohu Rithemelimin si PD-së zyrtare. Elona Toro, gjyqtare relatore, Genti Shala gjyqtar dhe Edlira Petri gjyqtar, u caktuan nga shorti për shqyrtimin e kërkesës.

Gjykata e Apelit u është përgjigjur akuzave të vazhdueshme të Komisionit të Rithemelimit ndaj drejtësisë, duke konsideruar të papranueshme sulmet e ditëve të fundit të grupit Berisha. Në një reagim për mediat, Apeli thotë se këto sulme janë ndërhyrje të drejtpërdrejta përpara marrjes së vendimeve nga gjykatat dhe se janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërish.

Fill pas kësaj deklarate, ka ardhur edhe nëj reagim nga Sali Berisha, i cili vijon presionet ndaj institucioneve të drejtësisë në prag të një vendimi për çështjen e kontrollit të Partisë Demokratike. Përmes një postimi në 'Facebook', Berisha shkruan se ky qëndrim tregon ndërhyrjen e Edi Ramës dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim në sistemin e drejtësisë. 

Por Gazment Bardhi thotë se Gjykata nuk mund të jetë e pavarur kur gjyqtari Agron Zhukri në një mënyrë tërësisht politike pro Berishës. Sipas tij, Berisha duhet t’i japë fund përçarjes së demokratëve dhe të pranojë vendimin e gjykatës cilido qoftë ai në mënyrë që të bashkohen demokratët.

‘Gjykata e Apelit Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryesisht ato të lirisë së shprehjes dhe mendimit, sjell në vëmendje të opinionit publik se ato duhet të ushtrohen në respekt të të drejtave po aq themelore, që konkurrojnë me to. Gjykata është e vetëdijshme për rolin e partive politike në një shoqëri demokratike, ndaj çdo debat publik mbi organizimin, mbarëvajtjen dhe ushtrimin e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë, mbart në vetvete çështje të interesit publik.

Nga ana tjetër, po aq i rëndësishëm në një shtet të së drejtës është respektimi nga cilido i pavarësisë,  autoritetit, legjitimitetit të pushtetit gjyqësor, si dhe shmangia e deklarimeve apo sulmeve që cenojnë besimin e publikut te trupa gjyqësore.  Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.

Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar.

Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta.’- njofton gjykata.

Ndërkohë që pas kësaj deklarate ka pasur edhe një reagim nga Sali Berisha. Ai ka vijuar presionin duke e konsideruar Gjykatën të kapur dhe deklaratat e saj si të paprecedendta.

Kujtojmë se Gjykata e Tiranës ka pranuar pak javë më parë ankimin e Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet Statutore në Partinë Demokratike sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeaj duke legjitimuar atë si ankues, duke pranuar të drejtën e ankimin, dhe duke konstatuar që ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe nuk është abuziv dhe i paligjshëm. 

Gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD perfaqesuar nga Alibeaj  ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel të vendimit të Zhukrit. Tashmë, i takon Gjykatës së Apelit të vendosë nëse do të pushojë ankimimin, apo do të kthejë për shqyrtim po në Gjykatën e Tiranës por me trupë tjetër gjykuese, kërkesë padinë e Rithemelimit për regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit që Zhukri e vulosi më 25 mars 2022. Nëse vendimi i Zhukrit rrëzohet në apel, Sali Berisha e humbet sërish kontrollin e PD që në fakt e mori pa pritur shkallët e tjera të vendimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:52
Bardhi-Berishës: Gjykata nuk mund të jetë e pavarur kur Agron Zhukri vendos në favorin tënd

1652554922_bardhi.jpeg

Gazmend Bardhi ka reguar ndaj deklaratave të Sali Berishës i cili vijon presionet ndaj Gjykatës së Tiranës, sa i përket çështjes së PD-së. Bardhi shkruan se Gjykata nuk mund të jetë e pavarur kur gjyqtari Agron Zhukri vendos pro tij.

"Sali Berisha duhet t’i japë fund hipokrizisë me demokratët dhe përçarjes së tyre. Standardi i dyfishtë me gjykatat dëmton besimin e demokratëve në ringritjen e PD. Gjykata nuk mund të jetë e pavarur, kur Zhukri i Berishës vendos pro tij dhe është politike, kur gjykata nuk i nënshtrohet akuzave të tij. Vendimi i gjykatës për çështjen e PD, cilido qoftë ai, duhet t’i hapë rrugën bashkimit të vërtetë të demokratëve", shkruan Bardhi.

Ora 17:12
Deklarata e Apelit së Tiranës, Berisha vijon presionin: E kapur nga Rama

1652686390_165177488680003e34312dfb1c48d6b4bd0bebc71efffc.jpeg

Në prag të një vendimi nga Gjykata e Apelit për çështjen e kontrollit të PD-së, Sali Berisha vijon presionet ndaj institucioneve të drejtësisë. Fill pas qëndrimit të Gjykatës se deklaratat partiake janë të papranueshme, Berisha thotë se kjo tregon ndërhyrjen e Edi Ramës në sistemin e drejtësisë.  

"Deklarata e parë në historinë e botës! Të dashur miq,  prej tre javësh, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit gjatë të cilave Gjykata e Tiranës nuk i dha PD një kopje të vendimit anti-ligjor të gjykatëses Blerina Muça, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin dhe me ndërhyrje anti-kushtetuese të Edi Ramës dhe Guvernatores Kim (siç e pohoi ajo vetë) shpalli palë ata që kurrë nuk kanë qenë palë. Këtë vendim anti-ligjor kjo gjykatë e dërgoi sot në Apel, përsëri duke mos ia dhënë vendimin PD, e cila ishte palë e vetme në proces.

Por ky akt-antiligjor ne një rast unik në historinë e Shqipërisë dhe të botës, shoqërohet nga një deklaratë politike e gjykatës së Apelit publikuar dy orë para se sa të hidhet shorti për gjyqtarin që do të shqyrtonte çështjen. Kjo deklaratë që asnjëherë nuk është bërë në paradhënie nga ndonjë gjykatë, as në diktaturë, dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme:

1- ndërhyrjen e turpshme dhe diktimin e një deklarate të tillë gjykatës nga Edi Rama, e cila tregon përpjekjet e tmerrshme për ndikimin në drejtësi. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë ndërhyrje brutale në punën e gjykatave, rikujtojmë se një deklaratë e tillë nuk është bërë as kur Alibasha sulmoi egër gjykatësin e gjykatës së Tiranës, një ditë para se të vendoste për kuvendin e 11 Dhjetorit të vitit 2021 të PD", shkruan Berisha.

Ora 15:37
Statuti i Berishës, hidhet shorti! Kush janë tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë kërkesën e Ivi Kasos

Gjyqtarja Elona Toro, gjyqtari Genti Shala dhe gjyqtarja Edlira Petri do të shqyrtojnë kërkesën e Ivi Kasos, që Enkelejd Alibeaj të mos bëhet palë në PD.

 

Ora 14:30
Statuti i Berishës, sot Apeli cakton gjyqtarët për kërkesën e Ivi Kasos për të rrëzuar Alibeajn

Gjykata e Apelit do të caktojë sot gjyqtarët që do të shqyrtojnë kërkesën e Ivi Kasos, ku i kërkon gjykatës që mos të pranojnë Enkelejd Alibeajn si palë.  Shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet sot në orën 15:30.

‘Në vijim të informacioneve të dhëna më herët dhe në respekt të së drejtës së publikut për tu informuar mbi çështjet me interes publik dhe posaçërisht proceset mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë sa më poshtë:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me trup gjykues të përbërë nga gjyqtar Agron Zhukri, me vendimin nr.3, të datës 25.03.2022, ka vendosur: “1. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të P.D.SH. 2.Depozitimin  e vendimit te Kuvendit Kombetar te PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatëse në regjistrin e partive politike:

Vendimin nr 1, dt.11.12.2021 me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë.

Vendimin nr 2, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 3, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 4, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 5, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 6, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Vendimin nr 7, dt.11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

3.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim sipas ligjit.

Në datë 04.04.2022, kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me të cilin është kërkuar : “Prishja e Vendimit Nr. 1346/222 Akti Nr. 3 Vendimi, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.“

Ankimi i mësipërm u shqyrtua lidhur me pranueshmërinë e tij dhe me vendimin nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me gjyqtare Blerina Muca vendosi : “Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në datë 16.05.2022, u depozituan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë :

Kundërankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, me të cilin është kërkuar mospranimi i ankimit të bërë nga Z. Enkelejd Alibeaj datë 04.04.2022;

Ankimi në emër të Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe me autorizim nga Z. Ivi Kaso, kundër vendimit nr. 508 Regj. Them, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin kërkohet prishja e këtij vendimi, duke vendosur mospranimin e ankimit të palës ankuese Partia Demokratike e Shqipërisë, të përfaqësuar nga nënkryetari Z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sot në datë 17.05.2022 u depozitua pranë Gjykatës së Apelit Tiranë çështja e mësipërme dhe aktet e sipërcituara. Shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet po sot në orën 15:30, në një proces të hapur në sallën nr. 2 të gjykimeve.’- njofton gjykata.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!