Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, bëri ironi për tunelin e Llogarasë ndërsa zëvendës kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për këtë tender dhe akuzohet për vjedhjen e 50 milionë eurove.
Kryeministri tha me ironi se aty nuk është përdorur hekur por bar për të vjedhur sa më shumë. Teksa iu rikujtua shifra e 50 milionëve eurove, për të cilat akuzohet Balluku, kryeministri tha se “do të gërmoni dhe ishalla i gjeni.”
“Jo jo aty hekur nuk ka. Në tunelin e Llogarasë, ky është një fakt që kush e ka kapur e ka kapur tamam. Po ua them se hekur në tunelin e Llogarasë nuk ka. Aty është përdorur bar i thatë që përdoret në jug për tendat në hije dhe ngaqë u desh vjedhur shumë u përdor bar. Në vend të hekurit u vu bar i thatë dhe madje ka edhe një krim tjetër aty, që është marrë shumë zhavorr, bar e rërë dhe u bë një strukturë dhe turqit pretendojnë se është më e fortë se hekuri. Këtë do ta studioni ju.
Jam i sigurt që edhe kjo do të dalë. Tuneli i Llogarasë është aty dhe është shëndoshë e mirë dhe e përdorin të gjithë e lehtësohen të gjithë. 50 milionë eurot? Po ato pastaj janë çështje tjetër, lidhen me gërmimin. Nuk është punë hekuri. Kështu që ato nuk e di, do të gërmoni dhe ishalla i gjeni. Ne do të vazhdojmë të bëjmë tunele, akset dhe këtë mandat siç e kam thënë do të ecim shumë edhe me projektet hekurudhore. Kështu i kemi ndarë detyrat, por ju aty te tenxheret”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
‘Balluku’, Rama: Kuvendi nuk është zyrë noterie, 16 mijë faqe nuk janë prova, por arkivi i Ministrisë! Dorëheqje? Mora 83 mandate, AKSHI krenari












