Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i shkarkuar ditën e hënë nga kryeministri Edi Rama, do të thirret në Prokurori, për të dhënë sqarime për të gjitha akuzat e rënda të artikuluara në adresë të qeverisë.

Paralajmërimi vjen nga kryeprokurori që konfirmoi edhe gatishmërinë e ish-ministrit për të bashkëpunuar. Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se ish-ministri i Drejtësisë do të thirret në Prokurori në kuadër të hetimeve që kanë nisur pas deklaratave të forta të Manjanit, menjëherë pasi u shkarkua nga detyra.

Natyrisht. Z. Manjani ka shprehur vullnetin e tij për të ardhur në çdo kohë për t’u bërë pjesë e hetimeve që do të kryhen. Ne do ta thërrasim. Në asnjë rast Prokuroria nuk është treguar e dobët apo e frikësuar ndaj zyrtarëve”, tha Llalla.

Nisur nga paralajmërimi i kryeprokurorit, i cili tha se kanë nisur hetimet kryesisht, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tashmë do të ketë mundësinë që të sqarojë dhe provojë akuzat e rënda para prokurorëve. Ky ishte edhe sugjerimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për ish-ministrin.

“Kushdo që ka fakte t’u drejtohet rrugëve ligjore e institucioneve dhe të mos hedhë shashka”, tha Meta. Pas shkarkimit, Manjani u shpreh se kryeministri ka shkelur Kushtetutën, pasi janë marrë vendime pa mbledhur qeverinë.

Po ashtu, Manjani tha se disa nga ministrat kanë fjetur me dashnore në hotelin Santa Quaranta, në pronësi të Klemend Balilit, kur ky i fundit ishte në kërkim. Manjani foli edhe për akte korruptive etj.

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar se ambasadorë të huaj në vendin tonë i kanë kërkuar arrestimin e politikanëve, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë. 

Llalla sqaroi në një intervistë për "Opinion", se dy vite më parë, ambasadorë të huaj (nuk përmendi emra) i kanë shkuar në zyrë dhe i kanë kërkuar vënien përpara drejtësisë të zyrtarëve.

Kanë përfituar nga imuniteti dhe statusi që kanë. Në zyrën time kanë imponuar arrestimin e zyrtarëve të lartë, nuk mund të sjellin fakte, nuk janë oficerë. Kanë kërkuar edhe arrestimin e emrave përkatës, për zyrtarë të niveleve të larta".

I pyetur nëse kanë kërkuar arrestimin e ish-kryeministrit Berisha, Llalla ka thënë se: “Kanë kërkuar arrestimin për ministra dhe ish-ministra. Vlerësoj që e kanë bërë në bazë të opinioneve që kanë, qëndrimi im ka qenë i prerë, nuk vepron organi i akuzës në bazë të kërkesave të tyre por në bazë të provave”. 

Llalla sqaron pse iu refuzua viza
Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaruar se ambasadori Donald Lu ka refuzuar vizën, pasi bashkëshortja e tij lindi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai theksoi se kishte marrë vizë diplomatike, së bashku me të shoqen, ndërsa pasi ajo lindi në SHBA, ambasada i ka komunikuar refuzimin e vizës, me pretendimin se është abuzuar. 

"Më 31 dhjetor, bashkëshortja lindi në SHBA dhe pas kësaj ngjarjeje, ambasada më hoqi vizën amerikane.

Kjo ishte dhurata që më bënë për 31 dhjetor. Më hoqën vizën në një moment kur gruaja ime lindi në SHBA. Ata më thanë se viza nuk ishte më diplomatike, pasi në SHBA kisha shkuar për motivet e mia personale
”, tha Llalla.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com