Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të përdorë të drejtën e vetos presidenciale nëse Partia Republikane humbet kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit që do të zhvillohen më 3 nëntor.
‘’Ndoshta do të jem Z. Veto”, tha Trump Në një intervistë ekskluzive për Fox News, duke paralajmëruar se mund të refuzojë projektligjet që një Kongres i kontrolluar nga demokratët do t'i dërgonte për miratim.
Trump ka bërë fushatë pa ndërprerje në të gjithë vendin përpara zgjedhjeve - madje edhe në zona që dikur mendoheshin të ishin fortesa të sigurta të republikanëve.
Gjatë gjithë fundjavës, Trump e mbrojti çështjen e partisë së tij në tubime në Kansas, Florida dhe Iowa, si dhe në tele-tubime për kandidatët në shtete duke përfshirë Michiganin, Ohio dhe Pensilvaninë.
Në vitet e mëparshme, Trump fitoi lehtësisht Floridën, Ajovën dhe Kansasin - dikur të konsideruara shtete të besueshme republikane - por vizitat e presidentit atje në ditët e fundit të fushatës së tij zgjedhore nxorën në pah se sa konkurruese janë bërë këto shtete në përcaktimin e kontrollit të Kongresit.
Trump u tha mbështetësve se e kishte transformuar vendin, duke thënë se demokratët e kishin lënë SHBA-në në një “epokë të errët”, por nën komandën e tij, “ne e shndërruam shpejt atë në epokën e artë të Amerikës”.
Trump po përballet me kritika të ashpra për shkak të kostos së jetesës. Çmimet janë rritur, veçanërisht për karburantin, ushqimet dhe kujdesin shëndetësor, që kur filloi lufta në Iran më shumë se tetë muaj më parë. Në këto tubime, Trump dukej se kishte dy qëllime: të ndryshonte temën nga ato çështje dhe të përdorte frikën për të tërhequr votën republikane.
Në prag të zgjedhjeve, Trump dhe administrata e tij kanë hedhur vazhdimisht dyshime si mbi besueshmërinë ashtu edhe mbi sigurinë e votës, pavarësisht provave që tregojnë se mashtrimi me votat është i rrallë. Departamenti i drejtësisë ka nisur hetime ose ka kërkuar që votat të lihen mënjanë në shumë shtete të SHBA-së.
Rreziqet janë të larta për Trumpin, pasi rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit shihen si një masë se sa të kënaqur janë amerikanët me performancën e një presidenti.





Komente
Komento