Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se “Me Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve u krye një inspektim në IEVP Fier për verifikimin e pretendimeve të ngritura për keqtrajtim, nga ku rezultoi se ndaj shtetasit të dënuar me inicialet T.D nuk është ushtruar asnjë lloj forme keqtrajtimi fizik apo psikologjik, si dhe për trajtimin e rastit nuk ka qenë e nevojshme zbatimi në praktikë i “Manualit për Përdorimin e Forcës” hartuar nga ekspertë të KSHH-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.
Sipas Drejtorisë “Shtetasi me inicialet T.D, është dënuar dy herë nga gjykata shqiptare për veprën penale “mashtrim”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal. Më datë 14 nëntor 2017, ka filluar procedimi disiplinor ndaj këtij shtetasi në IEVP Fier, për thyerje të rregullave të institucionit dhe kundërshtim të forcave të policisë për kryerjen e kontrollit për sende të ndaluara në qelinë e tij. Si rrjedhojë, i dënuari, gjatë një momenti nervozizmi ka tentuar të vetëdëmtohet, duke shkaktuar shenja në duar. IEVP Fier ka zbatuar të gjitha procedurat standarde të parashikuara në rregullore për trajtimin e personave me liri të kufizuar”.
Institucioni i vuajtjes së dënimit ka theksuar gjithashtu se “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Burgjeve ka ndërmarrë një hetim për verifikimin e pretendimit për keqtrajtim. Eksperti mjeko ligjor, pjesë e grupit hetimor, ka vlerësuar paraprakisht se i dënuari nuk ka shenja apo dëmtime të cilat mund të tregojnë se ndaj tij është ushtruar dhunë. Çështja e pretendimit për keqtrajtim ndaj të dënuarit T.D i është referuar për ndjekje të mëtejshme organit të prokurorisë”.
s.k/Shqiptarja.com








