Opozita shqiptare dorëzoi zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar pasi ish zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, publikoi disa audiopërgjime të shkurtra, në qendër të të cilave, ai pretendon se është biznesmeni izraelito-amerikani Ron Yeffet, mik i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, sipas tij, dhe dy qytetarë ukrainfolës dhe rusisht folës, të cilët identifikohen vetëm me emrat Igor dhe Sergei. Sipas Ahmetajt, bëhet fjalë për një plan për trafik të armëve dhe municioneve duke përdorur Shqipërinë, përmes sipërmarrjeve ku Yeffet është partner me ndërmarrjen ushtarake shqiptare Kayo

Kërkesa për komision është firmosur nga 41 deputetë dhe propozohet që komisioni të ketë një afat veprimtarie 6 mujore dhe të përbërhet nga 15 deputetë.

Deputetët e opozitës kanë përcaktuar edhe objektin e veprimtarisë së Komisionit Hetimor, që do të jetë:

(i)                 Kontrollin e ligjshmërisë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura ndërmjet shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., dhe palëve të treta;

(ii)              Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, negocimit dhe miratimit të marrëdhënieve kontraktuale me subjektet tregtare të tjera; 

(iii)            Kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të shoqërive mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në drejtim të prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake;

(iv)             Verifikimin e procedurave për alokimin dhe përdorimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit;

(v)               Verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, sipas audiopërgjimeve të bëra publike;

(vi)             Vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut (NATO);

(vii)          Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e shoqërisë “KAYO” sh.a., shoqërive bija dhe fondeve publike, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;

(viii)        Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies, konkurrencës dhe transparencës në veprimtarinë e shoqërisë mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare.

Në kërkesën e firmosur nga opozita theksohet se “për shkak të natyrës së çështjes, implikimeve të mundshme për sigurinë kombëtare, integritetin institucional, kontrollin e kufijve dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, vlerësojmë se ekzistojnë kushtet kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar”.

Sipas opozitës “rëndësia e çështjes nuk qëndron në marrjen e mirëqenë të akuzave të bëra publike, por në nevojën për të përcaktuar, mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve të verifikueshme nëse institucionet shtetërore kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore dhe kushtetuese për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e veprimtarive të paligjshme të lidhura me trafikun ndërkombëtar të armëve”.

kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë


Lajmi kryesor:

KAYO/ PD: Model që lë jashtë kontrollit financat publike, garë ndërkombëtare për çdo ortak privat! Pas akuzave për trafik armësh, opozita dorëzon kërkesën për hetim parlamentar