Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka nënvizuar përmes një postimi në rrjetet sociale se me Sali Berishën nuk e lidh asgjë dhe nuk ka patur kurrë pakte të fshehura, duke iu përgjigjur kështu disa akuzave.  Bardhi shkruan se të gjitha këto teza janë qesharake dhe intriga të vogla.

“Qesharake tezat e atyre që duan të përçajnë akoma më tej PD-në për interesa personale. Me Sali Berishën nuk kam patur kurrë pakte të fshehta apo të hapura. Dhe nuk ka për të patur kurrë. Me të nuk më lidh as e shkuara, as e tashmja, as e ardhmja. Janë intriga të vockla njerëzish të keqpërdorur për interesa të qarta pushteti. Nëse ata që qëndrojnë në hije pas këtyre intrigave 2lekëshe, mendojnë se mund të më intimidojnë mua dhe kolegët e mi, po ua përsëris edhe publikisht: i keni bërë llogaritë gabim! Koston e baltës së hedhur ndaj meje, nga disa drejtime, do të vazhdoj ta përballoj si njeri i lirë. Kam bërë dhe do të bëj atë që kam besuar, sepse nuk jam peng i askujt”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Kujtojmë se Bardhi së bashku me disa eksponentë të tjerë në Partinë Demokratike kanë shprehur gjithnjë së fundmi qëndrimin se PD do të duhet të dilte në zgjedhje ose me kandidatët e Berishës si kandidatë për krerë në 61 bashkitë e vendit ose do të duhet të dilte vetëm në disa bashki dhe gara do të duhej të përqendrohej në këshillat bashkiakë. Bardhi ka insistuar deri në fund në këtë qëndrim në mbledhjet maratonë të Kryesisë së Partisë Demokratike por nga ana tjetër e ka theksuar se çfarëdolloj vendimi të merrnin organet drejtuese do ta respektonte.