Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave se po rrit pagat, ndërsa është para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Kryeministri Edi Rama thekson se neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike ku flitet për periudhën e krijimit të qeverisë së re dhe jo me zgjedhjet lokale.

'Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimi të qeverisë së re. Leximin me zë ua bëjnë pensionistët në 14 maj.'- shkruan Rama.

Neni në Kodin Zgjedhor, foto e publikuar nga Rama

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka një plan ambicioz për rritje pagash, në harkun e këtyre dy viteve, 2023-2024, çka e çon Shqipërinë në nivelin e lartë të rajonit. Rama tha se pas rritjes së pagës minimale, tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare në dy faza.

Ndërkohë qeveria ka marr vendimin për të shpërblyer pensionistët me një vlerë monetare prej 5 mijë lekësh nga të ardhurat e taksës së jashtëzakonshme të prodhuesve e energjisë. I pyetur nëse është në shkelje të Kodit Zgjedhor për shpërblimin e pensionistëve teksa jemi rreth 45 ditë larg zgjedhjeve të 14 majit, Rama u shpreh se zotimin e kanë bërë muaj më parë.