Prokuroria e Tiranës ndryshon akuzën e ndërtimit të paligjshëm duke e klasifikuar si ndërtim të paligjshëm për qëllime fitimi, një nga tre akuzat në ngarkim të ish deputetit Kristian Demokrat Mark Frroku.

Pas kësaj kërkese të organit të akuzës, Gjykata e Tiranës ka shtyrë pretencën, duke i dhënë kohë avokatit për t'u mbrojur dhe njohur me akuzën e re.

Sipas prokurorëve, Frroku duhet të akuzohet për ndërtim të paligjshëm për qëllime fitimi referuar nenit 199/a paragrafi tre dhe jo sipas paragrafit të parë siç është regjistruar në fillim vetëm ndërtim i paligjshëm.

Kjo akuzë e re shton dënimin që prokuroria pritet të kërkoj ndaj Frrokut pasi ndërtimi i paligjshëm për qëllim fitimi dënohet nga Tre deri në tetë vite burg në ndryshim me një vit që ishte me akuzën e parë.

Vetë Frroku i cili akuzohet dhe për vrasje e fshehje pasurie sishte i pranishëm në seancë ndërsa një javë më parë të njëjtët prokuror kërkuan 16 vite burg për Kristian Marinaj të akuzuar si bashkëpunëtor i Frrokut në vrasjen e Aleksandër Kurtit më 1999 në Belgjikë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com