Akuzohej për vrasjen e 2 civilëve, 
​Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm

Akuzohej për vrasjen e 2 civilëve, <br />​Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm<br>
Një Gjykatë Themelore në Gjakovë e shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn, i cili akuzohej për krime lufte, konkretisht për vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Në vendimin e gjykatës thuhet se “nuk janë provuar elementet e veprës penale dhe i pandehuri Fatmir Limaj, lirohet nga aktakuza”.

Fatmir Limaj aktualisht është zëvendëskryeministër i Kosovës, ndërsa në kohën e luftës në Kosovë ishte njëri nga komandantët e UÇK-së. Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur akuzë kundër Fatmir Limajt, nën dyshimet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”. Aktakuza ndaj Fatmir Limaj kishte të bënte me vrasjen e Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët u vranë në tetor të vitit 1998 nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.

Akuza për krime lufte
Limaj, akuzohej nga prokuroria se si komandant i Brigadës 121 të UÇK-së nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Në vendimin e gjykatës thuhet se “nuk është vërtetuar se kush ishin kryerësit, pasi të njëjtit ishin të maskuar dhe këtë e ka cekur edhe prokuroria në aktakuzë. Andaj bazuar në këto fakte, nuk është arritur të vërtetohet nëse këta persona ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe as në komandën e kujt ishin ata.”

Gjithmonë me duar të pastra
Ish-komandanti i UÇK-së Fatmir Limaj, është përballur edhe dy herë tjera me akuza për krime lufte. Në vitin 2012 dhe në vitin 2013, dy herë radhazi, Limaj u shpall i pafajshëm në dy procese gjyqësore. Në këto procese gjyqësore, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij, akuzoheshin se kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, në një qendër paraburgimi të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Kleçkë në komunën e Malishevës.

Fatmir Limaj, në vitin 2003 ishte akuzuar për krime lufte edhe nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, por në vitin 2005 ai u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat.

Fatmir Limaj, i cili tash udhëheq partinë Nisma Socialdemokrate, pjesë e qeverisë aktuale, ishte përballur edhe me një proces tjetër gjyqësor i akuzuar për korrupsion gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve dhe i Telekomunikacionit në vitin 2010, nën qeverisjen e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi. Edhe në këtë proces gjyqësor, që zgjati më shumë se gjashtë vjet, Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm./dw

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Minxhozi: Në partinë-kishë nuk ka vend për gjykatat britanike

Minxhozi: Në partinë-kishë nuk ka vend për gjykatat britanike