TIRANË- Gjykata e Posaçme nisi gjyqin për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Fatos Lulo, i cili akuzohet nga SPAK për "fshehje e mosdeklarim të pasurisë".

Sipas SPAK, Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit. Për provimin e akuzës, përveç 2 akt ekspertimeve financiare, SPAK kërkoi edhe pyetjen e 4 dëshmitarëve. Seanca e radhës pritet të mbahet më 30 janar.

Sipas SPAK, Fatos Lulo ka pasur mungesë të ardhurash për pronat dhe fshehje pasurie. Më 3 gusht 2021, SPAK dërgoi për gjykim në GJKKO, Fatos Lulon pas përfundimit të hetimeve për mosdeklarim dhe fshehje pasurie.

Fatos Lulo akuzohet për kryerjen e veprës penale të "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim", kryer në formën e deklarimit të rremë, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.