Ekskluzive/ Si zbuloi SPAK origjinën e pasurisë së 3 ish gjyqtarëve të lartë, dhurime të rreme, pazare me trafikantë e mashtrime! Hetimet që fundosën Selimin, Lulon e Deden 

TIRANËDisa ditë më parë, Gjykata Speciale pranoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një pjesë të pasurive të tre ish gjyqtarëve të nivelit të lartë; ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish anëtarit të kësaj gjykate Fatos Lulo dhe ish anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, duke zbatuar ligjin anti-mafia. Report Tv ka zbuluar prapaskenat e hetimit të SPAK që nxori në pah origjinën e pasurive të tre ish gjyqtarëve, të cilët nuk e justifikonin me të ardhura të ligjshme. Pas pasurisë së tre gjyqtarëve fshihen pazare me të akuzuar si trafikantë droge, konflikt interesi, kontrata fiktive, mashtrime dhe pastrim parash.

Gjyqtarët kanë përdorur të afërmit të tyre për të kamufluar pasuritë e paligjshme, por SPAK i ka nxjerrë zbuluar, duke verifikuar të ardhurat financiare të afërmve si dhe duke bashkëpunuar me një sërë institucionesh publike dhe private, persona të ndryshëm etj.

Shkëlzen Selimi, i shkarkuar nga Vetingu, SPAK i ka sekuestruar ½ e një karburanti në Shëtitoren Lungomare në Vlorë, me sipërfaqe trualli 432 m² dhe sipërfaqe ndërtimi 132.25 m². Po si arriti Selimi të bëhej pronar i karburantit? Pasuria ishte fillimisht në pronësi të një qytetari, i cili nuk po shlyente dot këstet e kredisë tek  nje banke te nivelit te dyte. Banka ka proceduar me kalimin në pronësi të saj të pasurisë. Më pas, në vitin 2012, ka kontraktuar një shoqëri përmbarimore, duke nxjerrë në ankand karburantin me vlerë 480 mijë euro. Pas përfundimit të afatit 15 ditor të ankandit dhe në kushtet kur nuk ka pasur oferta, shoqëria përmbarimore e ka uluar vlerën në 300 mijë euro.

Më pas është fortuar Shkëlzen Selimi me të atin, duke dhënë ofertën më vlerë 210 mijë euro. Kur vlera nuk është pranuar, ai ka bërë ofertën finale 250,000 euro. Banka ka pranuar ofertën e fundit. Selimi ka paguar 190,000 euro paraprakisht dhe 60 mijë euro pas lidhjes së kontratës në 2013. Në dosje thuhet se gjyqtari ka paguar cash, veprim ky i paligjshëm nga të dy palët. Nga bilanci i të ardhura dhe shpenzimeve, ka rezultuar se deri në vitin 2013, Shkëlzen Selimi kishte pamjaftueshmëri financiare në vlerë 160 mijë USD, ndërsa babai i tij 174 mijë USD.

Ndërkaq, njëri nga përmbaruesit që ka vlerësuar karburantin, të cilin e ka blerë më pas Selimi, është akuzuar dhe marrë i pandehur për trafik droge. Bëhet fjalë për shtetasin I. D., ortak në masën 33% i shoqërisë së përmbarimit. Në përfundim, përmbaruesi është dënuar nga gjykata e shkallës së parë dhe apelit me 2 vite burg, jo për trafik droge, por për moskallëzim krimi. Vendimi i Apelit është marrë në 1 shkurt 2013. Kundër vendimit të Apelit ka bërë rekurs prokuroria, e cila ka kërkuar dënimin e tij për trafik droge. Relator i dosjes ishte pikërisht Shkëlzen Selimi.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të prokurorisë, duke e shpëtuar përmbaruesin nga akuza për trafik droge. SPAK arrin në konkluzionin se vendimi në favor të përmbaruesit është diktuar nga Selimi, pasi gjatë kësaj kohë përmbaruesi ka vlerësuar karburantin e bankës, të cilin do ta blinte ish gjyqtari me para të pajustifikuara.

Fatos Lulos, i shkarkuar nga Vetingu, i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë. Lulo ka deklaruar se këtë dyqan me vlerë 120 mijë euro ia ka dhuruar motra në vitin 2009. Lulo ka pretenduar se motra e tij ka biznes ndërtimit. Por, SPKA ka zbuluar se motra e Lulos ka qenë thjeshtë një e punësuar dhe se nuk kishte aksione në kompani ndërtimi. Ajo thjeshtë është përdorur nga gjyqtari për kamuflimin e pasurive të paligjshme. Lulo ka deklaruar gjithashtu dhuratë nga motra 100 mijë USD cash, njësi shërbimi 74m2 si dhe 480 mijë USD hua. Të gjitha këto deklarata SPAK i ka vlerësuar si të rreme.

Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i shkarkuar gjithashtu nga Vetingut, i është sekuestruar një apartament në Golem. Dedja ka deklaruar se ky apartamentit ishte në pronësi të vëllait të tij në Dibër. Sipas tij, vëllai e ka blerë 1,900,000.0 lekë, në vitin 2003. Por nga hetimet e SPAK ka rezultuar se vëllai i Bashkim Dedes nuk ka pasur mundësi financiare për të blërë apartamentin.

SPAK ka pyetur edhe personin që merrej me mirëmbajtjen e kompleksit, i cili ka pohuar se në kompleks vinte vetëm Bashkim Dedja me familjen, duke shtuar se vëllain e tij nuk e ka parë asnjëherë. Gjithashtu, kontrata e energjisë elektrike është lidhur nga Bashkim Dedeja, fakte që thellojnë dyshimet se apartamenti është i ish-gjyqtarit, i cili ka tentuar ta fshehë në emrin e vëllait.

Ndërkaq, SPAK po heton për pasuri të paligjshme, mashtrim dhe pastrim parash edhe 7 ish-anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, të shkarkuar nga Vetingu.

Hetimet e SPAK për Shkëlzen Selimin 

Konluzionet e hetimit të SPAK për Fatos Lulon

Konkluzioni i hetimeve të SPAK për Bashkim Deden

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje

KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje