Hungaria i ka dhënë azil politik ish-ministrit polak të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro , i cili akuzohet për një sërë veprash penale të lidhura me shpërdorimin e fondeve publike dhe përdorimin e paligjshëm të mjeteve të përgjimit.

Ziobro, deputet i partisë konservatore Ligji dhe Drejtësia, dyshohet për kryerjen e 26 veprave penale gjatë periudhës 2015–2023, kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë. Akuzat lidhen me keqpërdorimin e fondeve të Fondit të Drejtësisë, i cili ishte krijuar për ndihmën e viktimave të krimit dhe rehabilitimin e të dënuarve.

Sipas hetimeve, një pjesë e këtyre fondeve dyshohet se janë përdorur për blerjen e programit izraelit të përgjimit Pegasus, me vlerë rreth 25 milionë zloty, i cili, sipas autoriteteve aktuale polake dhe një grupi hetimor të Parlamentit Europian, është përdorur për të hyrë fshehurazi në telefonat e kundërshtarëve politikë.

Në një reagim në rrjetin social X, Ziobro deklaroi se ka vendosur të pranojë azilin politik në Hungari për shkak të asaj që ai e cilëson si “represion politik” në Poloni. Ai akuzoi kryeministrin polak Donald Tusk se po kërkon hakmarrje personale dhe foli për një “rrëshqitje drejt diktaturës”.

Nëse shpallet fajtor, Ziobro mund të përballet me deri në 25 vite burg. Më 15 janar, një gjykatë në Varshavë pritet të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për arrestimin e tij dhe vendosjen e masës së paraburgimit.

Gjatë mandatit të tij si ministër i Drejtësisë, Ziobro ishte arkitekti kryesor i reformës së sistemit gjyqësor në Poloni. Kjo reformë është kritikuar ashpër nga Komisioni Europian dhe organizata ndërkombëtare për minimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Në dhjetor të vitit 2024, qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban i dha azil politik edhe ish-zëvendësministrit  Marcin Romanoëski, një bashkëpunëtor i afërt i Ziobros, i cili përballet me akuza të ngjashme.