POGRADEC- Shqipëria është në një moment kyç të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian, ndërsa Polonia, vend që ka kaluar të njëjtin proces disa vite më parë,– ofron eksperiencën dhe mbështetjen e saj. Kështu u shpreh Bartosh Romoviç, kryetar i Grupit të Miqësisë PoloniShqipëri në parlamentin polak, gjatë një aktiviteti në Pogradec.

Romoviç theksoi se kur deputetët shqiptarë kërkojnë këshilla për rrugën më të shpejtë e më efikase drejt BE-së, përgjigjja është e njëjtë: Të evitohen gabimet e vendeve që e kanë kaluar më herët këtë proces dhe të përmbushen pritshmëritë e qytetarëve europianë. Ai kujtoi se Polonia është sot një prej shteteve të rëndësishme të BE-së, me 38 milion banorë, ndaj mbështet zgjerimin e unionit.

Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Romoviç nënvizoi se Polonia është ndër vendet kryesore prej nga vijnë turistë në Shqipëri dhe se ky numër rritet çdo vit. “Siguria e Shqipërisë nënkupton edhe sigurinë e turistëve polakë që vizitojnë vendin”, tha ai, duke e cilësuar këtë arsye shtesë për forcimin e bashkëpunimit.

Në deklaratën e tij, ai u ndal edhe te agresioni rus në Ukrainë, si banor i një rajoni polak vetëm 7 kilometra larg kufirit ukrainas. Romoviç theksoi se Polonia e ka thënë gjithmonë qartë se “ishte Rusia ajo që sulmoi Ukrainën” dhe se mbështetja për Kievin duhet të vijojë pa bërë lëshime që do të inkurajonin diktatorët e sotëm e të nesërm. Sipas tij, ndihma për Ukrainën është interes global, “përfshirë edhe Shqipërinë”.

Në përfundim, ai theksoi se Polonia është e gatshme të ndajë përvojën e saj me Shqipërinë në procesin e integrimit europian, si dhe të vijojë bashkëpunimin për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të dy vendeve.