KURBIN- Edmond Dodaj është vënë në prangat e policisë së Laçit pasi ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

42-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përbërë nga të tjerë shqiptarë.

"Banda operonte kryesisht në Milano dhe synonte trafikun e kokainës në nivel ndërkombëtar. Pjesëtarët e organizatës kishin në dispozicion disa banesa në Milano, që i përdornin për veprimtarinë e tyre kriminale" informoi sot policia e Tiranës     

42 vjeçari u arrestua në qytetin e Laçit me qëllim ekstradimin drejt Italisë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Ndaj tij gjykata e Milanos kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Grup kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.