Akzuat e Rita Markos: ‘Jo, jo, Kadri, nuk është ashtu, sepse ti i ke ditur dobësitë e Feçorit dhe s’na ke thënë që …’! / Mbledhja e Byrosë, 8 tetor ‘82

Akzuat e Rita Markos: ‘Jo, jo, Kadri, nuk është ashtu, sepse ti i ke ditur dobësitë e Feçorit dhe s’na ke thënë që …’! / Mbledhja e Byrosë, 8 tetor ‘82

Byroja politike

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej.

Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

 Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Porosit tani brandet me prestigjioze 100% origjinale direkt nga Londra

Chic & PoshRekomanduar nga boost.al

Porosit tani brandet me prestigjioze 100% origjinale direkt nga Londra

                                               Vijon nga numri i kaluar

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                              TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                   PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Nuk dua të flas për të gjithë, se dhe nuk i di si janë e si s’janë por duke reflektuar mbi materialet që na u vunë në dispozicion, këto thënie të tuat bien poshtë. Lidhur me marrëdhëniet me këshilltarët sovjetikë ju thoni se nuk keni qenë dakord për informimin e tyre. Atëherë si shpjegohet kjo që nën urdhrin tuaj, keni vënë në dispozicion të Zbulimit sovjetik shumë materiale të rëndësishme e tepër sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri tek deponimet e Liri Gegës, Dhora Lekës, etj. Dhe këtij informimi, i vini një shpjegim që të bën shumë të dyshosh?! Ju thoni se keni kundërshtuar vënien e njerëzve pa garanci biografike, në vendet me rëndësi?! Nëse është kështu atëherë, pse nuk keni thënë që të mos caktohej Drejtor i Drejtorisë Operative apo Komandant i Akademisë Ushtarake, një njeri që ishte vënë në shërbim të Zbulimit sovjetik?!

Në një vend thoni se: “Mungesa e shokut Hysni në këtë kohë, kur diskutohen çështje kaq të rëndësishme, e vështirëson sqarimin e mjaft prej tyre”?! Nuk e kuptoj se çfarë keni dashur të thoni ju me këtë?! Mos doni të thoni se, keni vënë në dijeni shokun Hysni dhe ai jua ka miratuar, apo se keni marrë urdhra prej tij, për të vepruar kështu e ashtu?! Një veprim i tillë juve nuk ju shfajëson pasi, ne e dimë korrektësinë dhe partishmërinë e shokut Hysni. Dhe atë ju, nuk e njollosni dot. Në një vend tjetër flisni se jeni përplasur, me dobësitë që kishin këta armiq në karakterin e tyre.

Nëse ishte kështu atëherë, përse e dhatë pëlqimin që Feçor Shehu të bëhej Ministër i Punëve të Brendshme ?! Ju për Fecor Shehun, keni ushqyer nostalgji, gjë që u vu re në momentin kur ai u hoq si ministër dhe u caktua zëvendësministër. Veç kësaj, unë nuk e besoj atë që thoni ju se nuk keni pasur sinjalizimi, për anën e tij morale, gjë që doli sot dhe këtu. Veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut, dhe e disa kuadrove bashkëpunëtorë të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u mbulua për një kohë të gjatë pasi nuk janë zbatuar në mënyrë konkrete disa porosi të shokut Enver, që u dhanë pas zbulimit dhe demaskimit të grupit të Beqir Ballukut.

Në këto porosi thuhet shprehimisht: “Organeve të diktaturës, i duhet të hetojë me imtësi dhe në thellësi, punën armiqësore të këtyre banditëve, lidhjet e brendshme e të jashtme, format e metodat që kanë përdorur në këto drejtime. Duhet absolutisht të vërtetohet gjerësia e komplotit, deri ku shkojnë fijet e tij të organizimit, brenda dhe jashtë ushtrisë, brenda dhe jashtë atdheut”. Nisur nga këto fakte që kemi, jam i mendimit që Kadri Hazbiu ka përgjegjësi të rëndë dhe si i tillë, nuk e justifikon dhe nuk e meriton që të mbajë vendet që ka në udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit. Jam dakord që të merren ato masa që thanë dhe shokët.

SHOKU MANUSH MYFTIU: Unë, nuk do të zgjatem shoku Enver, dhe jam dakord me mendimet e shokëve, por më ka bërë përshtypje shumë autokritika e Kadri Hazbiut. U mundova të nxjerr se ku e sheh ky, përgjegjësinë e vet në këtë autokritikë, ku më shumë mundohet të shfajësohet sesa të ndihmojë, qoftë dhe në këtë rast Partinë, kur ju bë thirrje. Prandaj unë, e dënoj veprimtarinë e Kadri Hazbiut, dhe i bëj thirrje që të thellohet akoma dhe më shumë në ato që i thanë shokët, se ai është fajtor për të tëra ato dhe nuk i ka bërë nga mosdija, nga mungesa e vigjilencës, nga moskuptimi i vijës së Partisë, por me ndërgjegje të plotë dhe shumë gjëra tani po dalin të qarta për ne.

Dua të theksoj pastaj atë që më ka bërë përshtypje dhe mua, që të hedhësh sot baltë mbi shokun Hysni, këtë nuk e pranon asnjëri, shoku Kadri. Të gjithë ne, e kemi njohur partishmërinë e shokut Hysni dhe korrektësinë e tij, për aq kohë sa kemi punuar me të. Në të kundërtën ato që thua për shokun Hysni, hedhin baltë mbi ty. Prandaj jam dakord me atë që propozuan shokët, për ty.

SHOKU PROKOP MURRA: Edhe unë si shokët, e lexova materialin. Nga frazat del sikur shoku Kadri, bën be e rrufe për të na mbushur mendjen se e ndjen përgjegjësinë e rëndë për çfarë ka ndodhur atje ku ka punuar. PorM për çështjet kryesore esenciale ai, i kalon përciptazi, nuk jep shpjegime, madje siç thanë shokët, ai bën edhe akuza për Komitetin Qendror dhe shokun Hysni. Po si mund të kalojë urtë e butë, një çështje kaq serioze dhe ku të kalojë pa, këtu në Byronë Politike dhe Komitetin Qendror?! Sot çdo qytetar i ndershëm dhe patriot, pyet veten: Po shoku Kadri, çfarë ka bërë gjatë këtyre 35 vjetëve që ka punuar atje?! Madje ata kanë të drejtë të pyesin, të japin edhe gjykime, të bëjnë edhe vlerësime.

Ju shoku Kadri, i rrumbullakosni çështjet me mungesën e vigjilencës. Që ka pasur mungesë vigjilence kjo, kuptohet po a nuk na thua se përse ka ndodhur dhe ku e ka burimin?! Kush e futi atje këtë frymë?! Kush ju viri në gjumë?! Të gjithë këtyre pyetjeve, nuk u jepet përgjigje nga ty. Në materialin tuaj, thoni se armiqtë kryesorë i zbuloi Partia dhe shoku Enver, kurse Sigurimi i Shtetit, zbuloi ata të dorës së dytë. Si konstatim ky është i drejtë, por tani kjo gjë dihet prandaj nga ju, prisnim më shumë sqarime, se përse ndodhi kështu?! Nuk diheshin, apo nuk jepeshin, dhe kush nuk i jepte këto?! Autokritika që keni bërë, nuk mjafton dhe nuk ka se si të jetë e plotë kur në paraqitjen e mendimeve shtroni se, nga ky këndvështrim, ju shihni tani dhe punën e dobët në zbulimin e agjenturës, ashtu si dhe në luftën tuaj të cekët në hetuesi, dhe në zhvillimin e procesit.

Po si thoni se nuk e keni parë punën në këta dy sektorë të rëndësishëm të Ministrisë së Brendshme?! Atëherë me Policinë je marrë ti?! Si keni arritur në këtë konkluzion kur Partia është ndeshur me një sërë grupesh armiqësore, duke përfshirë këtu dhe elementë armiq, që ti i ke pasur në ministri, që të bënin thirrje duke të thënë: More thellohu. Të thuash ti se nuk i di, të thuash se nuk ke ditur gjë, kjo ekskludohet, prandaj kërkojmë shpjegime prej teje, pasi nuk je kaq i ulët ti siç përpiqesh ta paraqesësh veten.

Lidhur me materialet sekrete që i janë dhënë Bashkimit Sovjetik, mendoj si të gjithë shokët se ky është një veprim fare i palejueshëm. Të përpiqesh ta justifikosh atë, se ke pasur paqartësira se deri ku do të shtriheshin këto marrëdhënie, kjo nuk pranohet. Ti ke kërkuar për çdo sektor dhe ndërmarrje, të ketë rregullore të miratuara, kurse për këta sektorë me kaq rëndësi për jetën e vendit, ti si ministër, pse nuk bëre përpjekje që ta përgatisje rregulloren që të ishe më i qartë?!

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, po mbase s’të duhej t’ja përgatisnim ne.

SHOKU PROKOP MURRA: E po ja pra, t’ja përgatisnim ne.

SHOKU ENVER HOXHA: Se rregulloret juve, ne jua përgatisnim.

SHOKU PROKOP MURRA: Pastaj, siç thanë dhe shokët nuk është puna se kjo praktikë, ishte deri në vitin 1953. Numri i këshilltarëve sovjetikë, u rrit pas vitit 1953, kur ministër u bë shoku Kadri. Po kështu dhe materialet që ju dërgoheshin sovjetikëve, u rritën dhe kjo praktikë vazhdoi edhe pas vitit 1953, madje shkoi deri në vitin 1961. Edhe unë, po them tamam atë që thanë shokët. Mirë në atë kohë u bë si u bë, po në vitin 1963, kur ti e dije se si ishin marrëdhëniet tona me sovjetikët, dhe aq më tepër që ishe në Byronë Politike si nuk e gjete kohë që të shkoje te shoku Enver dhe t’i thoje që gjer këtu ishte niveli i marrëdhënieve tona me sovjetikët?!

Edhe për çështjen e shokut Hysni, unë jam dakord me atë çka thanë shokët. Në rast se shtrohet çështja për mungesën e shokut Hysni, që pengon diçka, atëherë ajo pengon Partinë që të sqarojë më tej veprimtarinë e Kadriut dhe veprimtarinë armiqësore të elementëve armiq, se për shokun Hysni, çdo gjë e kemi të qartë, se u dhanë këtu dhe shifrat dhe shënimet, e shokut Hysni.

Autokritika që bën ti për Feçor Shehun, duke thënë se ndjen përgjegjësi për miratimin e tij si ministër, që bëre në Byronë Politike, se tani i more vesh dobësitë e tjera të tij, s’ka se pse të bësh autokritikë që e ke miratuar. Ti na thua se ka përgjegjësi Byroja Politike që e ka miratuar, por ne të themi që nëse ti ke ditur diçka për të dhe s’ja ke thënë Partisë atëherë, ke përgjegjësi të rëndë. Por as këtë, nuk e thua. Ne diskutojmë këtu, për ato që na propozohen dhe kur kemi ndonjë vërejtje, e themi, ndërsa kur s’dimë gjë, e miratojmë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Autokritikën unë, e kam bërë dhe duhet të isha më vigjilent në këtë çështje.

SHOKU PROKOP MURRA: Po mirë, pse nuk thua se çfarë ka pasur Feçori, se ti ke ditur shumë gjëra për të dhe s’ja ke thënë Partisë. Ndryshe nuk ke se pse të bësh autokritikë se të gjithë, e kemi miratuar atë. Ah, po të ishe më vigjilent?!

SHOKU RITA MARKO: Jo ti Kadri, i ke ditur dobësitë e Feçorit dhe nuk na i ke thënë, që nga imoraliteti e deri te të gjithë të tjerat.

SHOKU PROKOP MURRA: Në shkrimet tuaja, nuk flitet fare për Komitetin e Partisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe për Sekretarët e Komitetit të Partisë. Unë, mendoj se po të ishe thelluar ndopak ,do gjeje dhe atje probleme. Bato Karafili, vrau veten dhe ne s’kemi si e pyesim, por dihet se ai maskonte të gjitha dobësitë e shumta të Feçor Shehut. Nuk e di se si e vrau veten ai, por mendoj se nuk e vrau si burrë i mirë. Megjithatë ju, nuk thoni asnjë fjalë për lidhjet që keni pasur me të. Përsa i përket zbërthimit të materialeve të Plenumit të 6 të Komitetit Qendror, dëshiroj të rë them se materialet e tij që i kam lexuar, janë shumë aktuale edhe sot. Kurse ti asgjë nuk thua, veç atij rasti që e ke lexuar atë natën.

SHOKU KADRI HAZBIU: Cilin?!

SHOKU PROKOP MURRA: Materialet e Plenumit të 6 të Komitetit Qendror, që thua se po i zbërtheje. Ato janë edhe sot aktuale, madje po të them dhe faqen. Po të kesh kohë, lexo faqet 84-87 ku flitet pikërisht për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shoku Enver, në këtë plenum flet gjerë e gjatë për rolin e Partisë në këto organe, ndërsa ju nuk i keni vlerësuar, dhe as i keni zbërthyer, megjithëse…! Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Finlanda heton dëmin shkaktuar kabllove nënujore elektrike me Estoninë

Finlanda heton dëmin shkaktuar kabllove nënujore elektrike me Estoninë