VLORË - Shkon në 5 numri i të prekurve nga sëmundja e malaries në Vlorë. Situata është bërë edhe më alarmante, pasi brenda pak ditësh janë diagnostikuar edhe dy raste të reja në spitalin rajonal të qytetit bregdetar, të cilat dyshohet se janë infektuar në Afrikën e Jugut, ku ishin të punësuar.

Sipas shefit të epidemiologjisë pranë drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë, Arben Bashllari rastet e fundit janë konstatuar që prej dy muajsh, që më pas janë dërguar për kurim të specializuar drejt spitalit të Tiranës.

“Pacientët janë paraqitur në spital dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Fillimisht janë trajtuar si raste të zakonshme, por pas ekzaminimeve të para rezultoi se ishin të prekur nga malaria. Kjo ka ardhur për shkak të neglizhencës së vetë personave që nuk kanë marrë medikamentet parandaluese para nisjes për në Afrike, si dhe nuk u janë nënshtruar mjekimit parandalues as atje”, - ka theksuar shefi i epidemiologjisë në Vlorë.

Të infektuarit mësohet se ishin punonjës të një kompanie shqiptare në Afrikën e Jugut të kthyer në Shqipëri pas përfundimit të kontratës së punësimit.

3 muaj më parë mjekët e Vlorës konstatuan 3 rastet e para të prekur nga malaria, të cilët aktualisht po trajtohen me mjekim të specializuar.

Sëmundja infektive e malaries është rikthyer pas disa vitesh në vendin tonë, ku pasojat mund të jenë vdekjeprurëse për pacientin nëse nuk ndërhyn në kohën e duhur.

(su.fu/Shqiptarja.com)