Gjendja fizike e Armando Brojës vazhdon të mbajë në ankth tifozët kuqezi në prag të fazës 'play-off' për një biletë në Botërorin 2026. Sulmuesi shqiptar nuk do të jetë i gatshëm as për sfidën e radhës së Burnleyt, atë kundër Brentfordit që luhet sot, ndërsa rikthimi i tij në fushë duket ende i largët.
Sipas mediave angleze, bomberi kuqezi po vijon të ketë shqetësime fizike dhe madje i është nënshtruar edhe disa injeksioneve për të menaxhuar dhimbjet, çka e ka mbajtur larg fushave të blerta.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Burnleyt, Scott Parker, bëri një pasqyrë të situatës së skuadrës, duke ndalur veçanërisht te lojtarët e dëmtuar.
“Armando është në të njëjtën rrugë. Sapo ka dalë nga disa injeksione, është ende në një nivel të ulët dhe do të rifillojë punën, por do të jetë edhe disa javë larg”, u shpreh Parker.
Kjo deklaratë konfirmon se Broja është ende larg formës optimale, duke vënë në pikëpyetje serioze praninë e tij me Shqipërinë në ndeshjen vendimtare të 'play-off-it' ndaj Polonisë më 26 mars në Varshavë.
Një situatë që shqetëson jo pak trajnerin Sylvinho, i cili rrezikon të mos ketë në dispozicion një nga armët kryesore të repartit sulmues për sfidën më të rëndësishme të sezonit.
Komente






