FRANCE - Në një operacion të shpejtë të policisë franceze janë arrestuar 4 persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të grupit terrorist Al Kaeda. Franca ndodhet nën alarm, që pas ndërhyrjes së saj në shtetin afrikan Mali.

Katër persona me origjinë kongolese dhe nga Mali të dyshuar si militantë islamikë janë arrestuar gjatë një operacioni blic të policisë franceze në Paris. Arrestimi i tyre është pjesë e një hetimi më të gjerë lidhur me grupin terrorist Al Kaeda me bazë në shkretëtirën Sahel.

Ky operacion i forcave speciale kundër grupeve terroriste vjen që kur Franca ndërhyri në Mali muajin e kaluar, për të ndalur avancimin e rebelëve islamikë në kryeqytetin afrikan e cila ka ngritur shqetësime rreth sulmeve të mundshme nga rebelët islamistë kundër interesave franceze brenda dhe jashtë vendit.

Hetues të anti-terrorizmit në Francë kanë dhënë alarmin për sigurinë e vendit “Vigipirate” pasi vendi po përballet me një kërcënim në rritje nga militantët islamikë ku individë të radikalizuar mund të kryejnë sulme në zona publike. Ndërkohë autoritetet kanë urdhëruar rritje të patrullimeve ushtarake në shumë zona publike.

Presidenti francez, Francois Hollande ka udhëzuar Kryeministrin, Jean-Marc Ayrault të forcojë sigurinë në ndërtesat publike dhe në transportin publik pasi vendi ndodhet nën alarmin e lartë të "kërcënimeve të mundshme".


(l.ç/ad.ti/shqiptarja.com)