Prej tetë muajsh kompania koncesionare ACR ka informuar në mënyrë të përsëritur institucionet shtetërore për shfrytëzimin antiligjor të galerive në seksionin "D" në Bulqizë. Kompania ACR ka informuar të gjitha autoritetet kryesore shtetërore në lidhje me shkeljet e bëra nga operatorë të licencuar që veprojnë në këto galeri por dhe operatorë të tretë që operojnë pa licencë. Në tre kërkesa të dërguara në periudhën mes Nëntorit 2011 dhe Prillit 2012 ACR-ja përcakton si shkak të vdekjes së shpeshtë të minatorëve pikërisht operimin e paligjshëm ose jashtë standardeve në galeritë e zonës "D" në Bulqizë nga kompani ose individë të ndryshëm. "Rojet tona të sigurisë janë të vendosura në çdo hyrje të galerisë, por theksojmë se të gjitha galeritë e zonës janë të lidhura me punime edhe nga brenda, ku është plotësisht e mundshme që të qarkullojnë njerëz në to edhe jashtë kontrollit të rojeve tona veçanërisht në kohën kur ne nuk punojmë në galeri dhe të krijohen premisa për rrezikimin e jetës së tyre në punë jashtë kontrollit", shkruhet në kërkesën e kompanisë koncesionare ACR.
Kërkesa
Kompania në letrën drejtuar autoriteteve më të larta shtetërore ka kërkuar ndër të tjera që sa më shpejt të vendosen rregulla loje dhe të ndahen qartësisht detyrimet dhe zonat e punës për të gjithë operatorët. "Për këtë arsye ACR kërkon bashkëpunim me institucionet tuaja, ku nga bashkëpunimi të përcaktohen qartë rregullat në të cilat do të punohet, përgjegjësitë për administrimin e territorit nga çdo subjekt që operon, përgjegjësitë e secilës palë për të ruajtur nga ujërat. Lidhja e punimeve dhe shembjet masive në territorin e subjektit fqinj dhe largimin definitiv të grupeve të palicensuara që punojnë në të zezë. Në kushtet aktuale që aktiviteti ynë është i ndërprerë deri në miratimin e projektit, ne kemi jashtë kontrollit edhe ato galeri në të cilat punojmë, pasi theksuam më lart se ato janë të lidhura me punime të thella brenda, ku mund të futen dhe të punojnë të tretë pa dijeninë tonë", thuhet në kërkesën e ACR e datës 16 nëntor 2011.
Koncesioni
Kompania ACR operon si koncesionar në minierën e kromit në Bulqizë sipas lejes minerare nr. 677 datë 16 Shtator 2002. Aktiviteti i saj minerar përfshin të gjitha objektet minerare të emërtuara si zona e Pusit nr. 2 përjashtuar horizontin 41, ku operojnë subjektet të tjera dhe Zonën "D" e cila ka qenë dhënë me marrëveshje nënkontraktore dhe me urdhër të ministrit ish ministrit të Ekonomisë në vitin i është rikthyer kompanisë ACR.
Në këtë zonë përveç ACR kryejnë veprimtarinë e tyre edhe subjektet të tjera minerare në nëntokë dhe në sipërfaqe (stogjet e sterilit), ku në të shumtën e rasteve veprimet janë të pakoordinuara dhe paraqesin rrezik për jetën e njerëzve. Minierat e Bulqizës shfrytëzohen nga 130 kompani të licensuara prej të cilave, 90 kompani janë licensuar në kohën ministrit Genc Ruli. Kompanitë në shumë raste nuk kanë as licenca dhe nuk paguajnë taksa.
(sg/shqiptarja.com)