Ka një paradoks në debatin që ka nisur për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërsa analistë pranë Sali Berishës kërkojnë bojkotin, vetë Berisha mund të ketë arsye të forta për të zgjedhur rrugën e kundërt.
Jo sepse beson se PD-ja mund të fitojë bashkitë, as sepse mendon se raporti i forcave me Edi Ramën ka ndryshuar, por sepse zgjedhjet mund t’i ofrojnë një mundësi të artë: Çelësin për të hapur portën e protestës.
Argumenti i atyre që kërkojnë bojkotin është i njohur: Rama e ka hipotekuar pushtetin dhe pjesëmarrja në zgjedhje do të legjitimonte një garë të pabarabartë.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Çështja për Berishën nuk është thjesht si të përballet me pushtetin, por si të ruajë protagonizmin e tij në opozitë; jo si të ndërtojë një alternativë fituese, por si të mbetet njeriu pa të cilin opozita nuk mund të mendohet.
Në këtë kuptim, qëndrimi në politikë duket se ka marrë përparësi ndaj fitores në zgjedhje. Berisha ka deklaruar se do të qëndrojë në politikë për aq kohë sa do ta lejojë mendja. Zgjedhjet e vitit 2025 treguan se kjo ambicie nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga marrja e pushtetit.
Ai nuk arriti ta çonte PD-në në qeverisje, por siguroi një grup parlamentar dhe ruajti drejtimin e partisë. Nuk ndryshoi qeverisjen, por garantoi vazhdimësinë e vet si lider i opozitës, në një kohë kur drejtësia po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për të ardhmen e tij.
Tani zgjedhjet lokale mund t’i ofrojnë një formulë edhe më të leverdishme.
Berisha mund të mos i vendosë kandidatët e PD-së në plan të parë, por t’u lërë përfaqësuesve të protestës hapësirën për të kandiduar, ndërsa partia të shërbejë si mbështetëse politike dhe elektorale. Kjo, jo për t’i hapur rrugën Protestës të thyejë Ramën, por se PD aktualisht është në vështirësi për të gjetur kandidatë konkurrues në zgjedhje, dhe Berisha si njohës i mirë i strukturave të partisë, e di këtë.
Kështu, ai do të shfaqej si njeriu që bashkon opozitën me protestën, jo thjesht si kryetari i një partie që e ka gjithnjë e më të vështirë të pretendojë fitoren.
Është një skemë ku rreziku ndahet, por merita përqendrohet. Nëse kandidatët fitojnë, fitorja do të shpallet fryt i bashkimit opozitar dhe i kontributit të PD-së.
Nëse humbin, përgjegjësia do të shpërndahet te kandidatët dhe rrethanat. Berisha, ndërkaq, do të shmangte barrën e një tjetër disfate të drejtpërdrejtë të partisë së tij. Për më tepër, sot, sfida e Berishës është krejt tjetër.
Atij (sikurse ka treguar) i duhet dëshpërimisht të sigurojë një vend në trenin e protestës.
Për ta thënë më troç, atij nuk i duhet të drejtojë trenin; i mjafton të zërë një vagon, me të vetmin kusht që nga treni të mos jehojë më thirrja: “Berisha në burg”.
Këtu qëndron edhe paradoksi tjetër. Ata që mund të besojnë se po ndërtojnë një opozitë të re, rrezikojnë të bëhen pjesë e mbijetesës së së vjetrës. Protesta mund të marrë fytyra të reja, por kjo nuk do të thotë se do të prodhojë një drejtim të ri politik.
Ndërsa PD-ja në vend që të shndërrohet në instrument për marrjen e pushtetit, ajo do të mbetet thjesht mjet për ruajtjen e protagonizmit të kryetarit të saj.
Në fund, duket se çështja nuk është nëse Berisha do të marrë pjesë apo do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale.
Çështja është çfarë kërkon të fitojë prej tyre. Mund të mos marrë asnjë bashki, por të marrë atë që i intereson më shumë: një biletë të re për të qëndruar në skenë, këtë herë në emër të protestës.
Një udhëtim që për Berishën ofron një destinacion të ri, por duke lënë opozitën në destinacionin e vjetër./Tema









Komente
Komento