Alarmi, niveli i Fierzës 24 m më i
ulët se vjet, Drini prurje miniamle

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti, si dhe ndikimet e pashmangshme të saj në sektorin e energjetikës në Shqipëri është një nga rreziqet kryesore për realizimin e parashikimeve për të ardhurat dhe shpenzimet lidhur me buxhetin e vitit 2018. Ky shqetësim është një ndër preokupimet kryesore, e nënvizuar kjo dhe në relacionin shoqërues të projektligjit për buxhetin e shtetit, që është dorëzuar tashmë nga qeveria në Kuvend dhe ka filluar diskutimi i tij.

Aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës, rezerva hidroenergjetike më e madhe në vend, është 264.2 metra mbi nivelin e detit, çka do të thotë 24 metra më pak se niveli i nëntorit të vitit 2016, por edhe mjaft larg mesatares historike, që është në 275 metra. Për më keq, edhe prurjet ujore të lumit Drin më kaskadën e tij, ku janë ngritur tre hidrocentralet më të mëdhenj të vendit, aktualisht janë të papërfillshme: vetëm 30 metra kub ujë në sekondë, shumë më pak se edhe në verë.

Në këtë situatë, për nëntorin importet e energjisë elektrike kapin një vlerë prej rreth 30 milionë eurosh dhe situata pritet të mos ndryshojë as për dhjetorin. 
Por vështirësitë financiare të kompanive energjetike pritet të shtohen edhe më tej, pasi edhe një kredi jo e vogël e Bankës Botërore për situata krize prodhimi energjetik tashmë është konsumuar.

OSHEE i ka përballuar importet me paratë e saja dhe me një mbështjeje financiare të qeverisë, por fonde të tjera buxhetore nuk janë parashikuar tani për tani dhe as në buxhetin e 2018-ës.
Por nuk janë vetëm KESH dhe OSHEE në vështirësi financiare. Edhe fitimet e Operatorit të Transmetimit të Energjisë shënuan një rënie vjetore me 15.6 për qind në periudhën janar-shtator 2017. Rezultati financiar i kompanisë u përkeqësua për shkak të rënies së të ardhurave me gati 20 për qind. Arkëtimet e OST-së në fund të 9-mujorit arritën në rreth 3.3 miliardë lekë nga 4.1 miliardë që ishin një vit më parë. 

[gallery]24532[/gallery]

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Makina përplas për vdekje këmbësorin në aksin Lezhë-Milot (EMRI)

Makina përplas për vdekje këmbësorin në aksin Lezhë-Milot (EMRI)