Pak javë më parë, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj tentoi të zhvillonte një vizitë monitoruese në SPAK, i nxitur nga një raport i ardhur në Kuvend nga Agjencia për Inteligjencën Financiare.

Agjencia ngrinte shqetësim për përdorimin e parave të pista dhe kërkonte nga Kuvendi të merreshin masa për luftimin e këtij fenomeni me kërkesë të BE-së.

Por SPAK refuzoi t’i hapte dyert komisionit “Xhafaj” me argumentin se kjo do të shkelte pavarësinë e institucionit në axhendën hetimore të këtyre veprave.

Agjencia për Inteligjencën Financiare që ngriti alarmin për pastrimin e parave në vend, u paraqit këtë të martë përpara Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, por nuk pranoi të japë në publik të dhëna se pse vendi ynë duhet të shqetësohet për këto fenomene.

“Shqipëria i nënshtrohet monitorimit dhe vlerësimit nga Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të dëmtimit në masë. Duke qenë se unë do të ndaj dhe informacion nga organizata ndërkombëtare që ende nuk janë bërë publike dhe nuk lejohet të shpërndahen për publikun, kërkoj që kjo seancë të jetë me dyer të mbyllura”, tha Ervin Koçi, drejtori i AIF.

Famir Xhafaj theksoi se Kuvendi do të vijojë punën e tij për të adresuar shqetësimet e pastrimit ë parave, dhe në këtë aksion do të përfshihen edhe institucionet e pavarura që kanë për detyrë të luftojnë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ai nuk e përmendi SPAK-un që ja mbylli derën pak ditë më parë, por u kujdes të saktësonte që për trajtimin e këtij shqetësimi, kishte pasur edhe konsensusin e opozitës.

“Për të qenë saktë, për të qenë korrekt, të gjitha palët në këtë komision edhe mazhoranca dhe opozita, e kanë vlerësuar të rëndësishme pavarësisht mungesës së momentit”, tha Fatmir Xhafaj.

Gjatë vitit 2025, në raportet për Shqipërinë, Komisioni Evropian dhe Moneyval kanë njohur progresin e vendit tonë për rregullime ligjore që luftojnë pastrimin e parave, por kanë kërkuar më shumë punë në praktikë, me hetime dhe konfiskime të pasurive të lidhura me krimin dhe rritje të numrit të ndjekjeve penale për pastrim parash.