Në një shkrim të publikuar në të përditshmen britanike “The Guardian”, Campbell i njohur si këshilltari politik dhe drejtori i komunikimit dhe strategjisë i ish-kryeministrit britanik Toni Bler, shprehet se Miliband duhet të rrezikohë dhe të ndjekë shembullin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili përballej me kritikët e tij duke publikuar video të intervistave të tyre me komentet më skeptike që kanë bërë, gjatë fjalimeve të tij në fushatën elektorale.
“Edhe pse një nga vendet më të varfra të Europës, duket se ka ardhur koha që Shqipëria ti japë këshilla politike Britanisë së Madhe”-shprehet Campbell i cili pritet të luajë një rol të rëndësishëm në fushatën e laburistëve për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij video-klipet funksionuan për Ramën i cili fitoi zgjedhjet e 23 qershorit në krye të koalicionit të qëndrës së majtë, ndaj Miliband mund të ndryshojë perceptimet që njerëzit kanë për të në fusha si biznesi, duke u përballur me kritikët sipas stilit të Ramës.
“Është goxha me rrezik, por padyshim funksionoi shumë mirë për Ramën dhe shpesh mënyra më e mirë për tu përballur me skeptikët është ti përballësh ata” - shprehet Campbell, i cili ka qënë këshilltari më i lartë i Ramës sa i përkët strategjisë dhe medias gjatë fushatës elektorale. Campbell i cili dha dorëheqjen nga ekipi i Bler 10 vjet më parë pas mosmarrëveshjeve me BBC-në lidhur me dosjen famëkeqe të armëve në Irak, është rikthyer sërish si besnik i liderit të laburistëve.
Sipas tij, suksesi i Miliband në 5 javët e fundit ka rritur ndjeshëm shanset e laburistëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare përballë konservatorëve. Por duke qënë se priten rezultate të ngushta në këto zgjedhje, Campbell mendon se do të ishte e mençur që Miliband të merrte shembull nga taktikat elektorale të liderit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.
Siç shkruan The Guardian, ishte pikërisht Campbell që e këshilloi Ramën, i cili erdhi në pushtet pas fitores së 23 qershorit, që të transmetonte këndvështrimet e kundërshtarëve të tij politikë si një mënyrë efikase për tu përballur me kritikat. “Kur po bënim fushatën në Shqipëri, në regjistruam video të njerëzve që ishin shumë kritikë ndaj Edi Ramës dhe më pas i transmetonim ato gjatë tubimeve elektorale, kur Rama më pas i përgjigjej kritikave.
Kjo ishte diçka vërtet efektive, sepse në këtë mënyrë jepnim argumentat e duhur ndaj kritikave që bëheshin”-shprehet Campbell në intervistë. Sipas tij, lideri laburist Ed Miliband mund të kishte përdorur në të njëjtën mënyrë video të kritikëve të tij që e akuzojnë se i mungojnë politikat e duhura në shumë drejtime, veçanërisht sa i përket biznesit. “E provuam një herë në Shqipëri dhe funksionoi me të vërtet”-thotë Campbell.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)