Boksieri shqiptar Alban Beqiri, është zyrtarisht në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror për Amatorë që po zhvillohet në Serbi, duke siguruar medalje bronzi.

Ai mposhti në çerekfinale jordanezin Zejad Ishaish në duelin e peshave 67-71 kg, duke fituar me rezultatin 4-1, duke treguar superioritet të theksuar në teknikë ndaj një kundërshtari që kishte mundur dy herë kampionin olimpik, kubanin Sotolongo.

Kjo ishte fitorja e katërt e Beqirit, i cili është pjesë e skuadrës së Tiranës. Më parë, Beqiri kishte fituar edhe kundër Maina nga Kenia Banis nga Lituania dhe Chambers nga Panamaja.

Luftëtari kuqezi mban edhe brezin e kampionit të Ballkanit, duke shpresuar që me këtë sukses, që tani historik për boksin shqiptar, ta vazhdojë karrierën edhe në arenën më të rëndësishme ndërkombëtare.