Më 26 maj trajneri i kombëtares U-21 të Shqipërisë në futboll, Alban Bushi, publikoi listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore kundër Sllovenisë U-21 dhe Italisë U-21. Në njoftimin për mediet, FSHF shkruante se për herë të parë në ekip do të afrohej Blerton Isufi, fantazisti i Moldes në Norvegji.

Isufi është pjesë e Kosovës U-21 dhe në një reagim për Telegrafin ka bërë me dije se është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe vetë trajneri Bushi, por ai nuk ka dhënë miratimin e tij për t'u larguar nga ekipi dardan, duke dashur të vijojë të luajë për Kosovën.

"Po, është e vërtetë që më kanë kontaktuar disa herë, por unë nuk i kam dhënë përgjigje pozitive. E kanë kontaktuar edhe babanë tim. Unë jam futbollist i Kosovës dhe do të vazhdoj të luaj vetëm për vendlindjen time. Nuk do të luaj kurrë për asnjë Kombëtare tjetër përveç Kosovës", tha fillimisht Isufi.

20-vjeçari falenderon Bushin, por tregon se do të jetë futbollist i Kosovës.

"Trajneri Bushi më ka kontaktuar direkt duke më thënë se i pëlqej si lojtar, gjithsesi faleminderit, por do të mbetem i Kosovës", tha futbollisti i Moldes.

Më pas Isufi ka thënë se për këtë situatë është në dijeni edhe trajneri i U-21 të Kosovës, Hekuran Kryeziu. Futbollisti nuk do të jetë pjesë e Kosovës U-21 në grumbullimin e radhës për shkak të angazhimeve me Molden në Norvegji.

“Kam biseduar me trajnerin Hekuran Kryeziu. Ai e di situatën time në klub dhe gjithë atë që ka ndodhur me Shqipërinë. Ai ka besim te unë dhe unë kam besim tek ai. Në këtë grumbullim nuk do të jem, shkaku i angazhimeve me klubin pasi kampionati norvegjez nuk pushon, por gjithmonë do të jem pjesë e Kosovës”, përfundoi Isufi.