Ervin Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe si i tillë është në të drejtën e tij të takoi çdo demokrat! Salianji si person publik, ish deputet dhe që profesion të vetëm aktualisht ka politikanin ka të drejtë të takoi çdo qytetar dhe jo vetëm demokratët!

Në fakt aktivitetin që po bën Salianji duhet ta bëjnë gjithë kohës ata që janë zgjedhur deputet nën logon e PD duke shkuar e takuar demokratët e zonave të tyre, por shumë prej tyre, pasi janë zgjedhur deputet edhe pse me lista të mbyllura nuk di të kenë shkuar qoftë për t'i falënderuar demokratët për punën e tyre dhe për besimin e dhënë!

Kështu, aktiviteti i Salianjit nuk është privat dhe s'ka si të jetë privat për faktin se është një person publik edhe falë faktit të angazhimit të tij relativisht të gjatë në politikë.

Megjithatë, nëse bëjmë retrospektivë, nuk ka ndodhur e nuk ka për të ndodhur në asnjë subjekt politik perëndimor që të organizohet e të mbahet një referendum për të marrë kreun e Partisë duke bërë tabula rasa me të gjitha forumet e saj drejtuese që ishin edhe vetë pjesë e tyre.

Tashmë është precedenti në PD dhe Salianjit i lind e drejta të bëj të njëjtin referendum, por jo në Stadium këtë herë, por në Bulevardin kryesor të Tiranës.

Salianjin e kam kritikua për faktin se ndryshoi qëndrim pas ngjarjeve të 8 janarit dhe koha më dha të drejtë! Sigurisht, ndoshta për shkak të angazhimit të tij politik duhet të bënte edhe kompromise siç bëri, por nëse do të kishte qëndruar koherent do të kishte qenë shumë më mirë për të dhe PD.

Në një kohë si kjo me populizma  dhe boom të informacionit e kam thënë që e vetmja gjë që vlerësohet është koherenca politike e cila ka kosto të mëdha, por në fund të shpërblen me besim ndaj qytetarëve.

Madje, siç e kam thënë shpesh në daljet e mia televizive duke marrë shembull pikërisht Melonin e cila është ajo që është sot pikërisht për shkak të koherencës së saj ndaj Opozitës dhe aleancave.

Nëse një i vetëm me gjenë një pikë të statutit që ndalojnë takimet e Salianjit me demokratët, atëherë do të isha dakord me sulmet ndaj tij.

Statutet e partive politike në Shqipëri thuajse nuk janë respektuar asnjëherë e nëse do të thoshim se ka ardhur momentin që të respektohen, atëherë në PD duhet të respektojnë menjëherë "Nenin Basha" që u krijua kundër këtij të fundit më demagogjinë se gjërat do të ndryshonin me termin e njohur "Rithemelim".

Salianji ka të drejtën e tij të takohet me demokratë ashtu siç këta të fundit janë në lirinë e tyre të besojnë tek ai dhe ta mbështesin për atë që ofron si politikan sot e ndoshta nesër si një lider.