Alban Ramosaj, talenti që premton shumë!

Alban Ramosaj, talenti që premton shumë!
Jo padyshim është cilësuar si talenti që premton shumë në muzikë. Zëri që e karakterizon dhe kënga e tij e parë në videoklip i ka çelur rrugën e suksesit. Bëhet fjalë për bukuroshin Alban K Ramosaj, i cili në një rrëfim për “Shqiptarja.Com”, tregon emocionet që i fali kënga e parë, pasionet e tij për artin si dhe padiskutim lidhjen e tij me motrën, Beatrix Ramosaj, një familje artistësh të pasionuar të gjithë pas asaj që quhet ‘art’. Ndërkaq, Albani na tregon edhe rreth të rejave të tij profesionale si dhe zbulon duetin me Trixën.
 
 “Çkemi” është kënga që ju keni lancuar para dy javësh, por suksesi i saj duket se ishte i garantuar nga gjithë përkrahja që keni pasur. Si ndjeheni?

Asgjë në jetë nuk është e garantuar, duhet të punosh për të arrirë aty ku dëshiron, dhe unë them që po eci qëndrueshmërisht shumë mirë në këtë rrugë. Ndihem mjaft mirë me suksesin që po më sjell ky hap i parë, tani po punojmë që të ‘shtrojmë rrugën’ për hapat e ardhshëm.
 
Daljet tuaja në skenë tashmë po marrin rrugën e duhur, mendoni se baladat janë arma më e fortë për zërin tuaj?

Zërin tim mund ta përshtas dhe ta përcjell në një larmi rrymash dhe ritmesh muzikore, nuk jam i kornizuar vetëm në balada. Padyshim që baladat janë një mënyrë shumë e mirë për të treguar potencë vokale por, nuk është kjo e fundit ajo çfarë të bën të kesh zë.
 
Si është raporti mes jush dhe motrës suaj Trixës, dimë që ju ka mbështetur vazhdimisht, sidomos në kohën kur ajo ishte duke punuar për projektet e saj muzikore në Gjermani?

Përveçse jemi vëlla dhe motër jemi dhe shokë të ngushtë. Për shkak të diferencës së vogël të moshës kemi arritur të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe kemi pasur një lidhje familjare e cila na ka shtyrë dhe na ka edukuar që të jemi kaq të lidhur me njëri-tjetrin, dhe natyrisht “Arti” është një nga ato energjitë kryesore që na bashkon jo vetëm mua dhe motrën, por gjithë familjen tonë. Unë kam një mbështetje të jashtëzakonshme jo vetëm nga motra por, nga gjithë familja ime. Jam shumë i bekuar që ndodhem në këtë familje kaq mirëkuptuse dhe mbështetëse.
 
Edhe pse në moshë të re jeni shprehur se çdo gjë që ka lidhje me artin jeni të gatshëm ta realizoni. Na tregoni pak më shumë për pasionet tuaja?

Mosha është thjesht një numër, janë rrethanat, njerëzit dhe mbi të gjitha eksperiencat që të pjekin mendërisht dhe të bëjnë të kuptosh se në çfarë rrymash do të notosh. Imagjinata, emocioni, dhe kreativiteti janë element me të cilët unë duhet të luaj patjetër në çdo gjë që bëj, pikërisht çdo gjë që ka të bëjë me këto elemente unë e bëj me pasion.
 
Do të jeni të angazhuar me koncerte apo këtë sezon veror keni menduar të pushoni?

Unë po punoj që të kem një repertor me këngët e mia të cilat do i performoj në vende ku do jem i ftuar. Ftesa kam dhe vazhdojnë të më ftojnë nëpër vende të ndryshme. Megjithatë pavarësisht ftesave, unë sapo të gjej kohë të lirë do e shpenzoj duke pushuar në bregdet si dhe në vendim tim të preferuar për tu qetsuar, tek Stani i gjyshes që është i rrethuar me gjelbërim në bjeshkët e Deqanit(qesh).
 
Cili është destinacioni juaj më i preferuar gjatë ditëve të nxehta?

Mjafton të jem me njerëzit e duhur i shoqëruar, gjë e cila ka më shumë rëndësi se sa vet destinacioni, gjithsesi gjatë ditëve të nxehta zakonisht zgjedh të jem pranë bregdetit.
 
Cilat janë projektet tuaja në vazhdim, po punoni për ndonjë këngë apo klip të ri?

Unë do të vazhdoj të punoj dhe të vij me projekte të reja. Klipi i dytë është projekti në vijim, është duke u shkruajtur skenari, nuk po zbuloj ma shumë.
 
Po dueti me Beatrixin kur do marrë jetë?

Dueti me Beatrixin, nuk e di nëse do marrë kohë apo do të vij më shpejt se sa e kemi menduar. Pavarësisht kohës, e rëndësishme është se do realizohet dhe ju premtoj se do suprizoheni.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com",versioni print
 
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit