Pas 15 vitesh, forcat e sigurisë në Ugandë kanë arrestuar Moses Mujurizi, i dyshuar për vrasjen e 38 personave dhe ngrënien e pjesëve të trupave të tyre. Lajmi u bë i ditur nga shefi ushtarak i vendit, Muhoozi Kainerugaba, përmes një postimi në rrjetin social X.

Sipas raportimeve të mediave vendase, Moses Mujurizi, akuzohet për vrasjen e 38 personave gjatë një periudhe prej 15 vitesh dhe për ngrënien e pjesëve të trupave të tyre.

Ai hynte natën me forcë në banesa dhe sulmonte viktimat me hanxhar. Gjithashtu, raportohet se ka joshur gra me premtimin e një lidhje.

Autoritetet po hetojnë nëse kanibali ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë.

Sipas raportimeve, të dyshuarit i atribuohet edhe një sulm i vitit 2013 në shtëpinë e një pastori në zonën e Masakës, ku u vranë pastori, bashkëshortja e tij dhe shtatë anëtarë të tjerë të familjes. Mediat lokale raportojnë se Mujurizi është arrestuar disa herë gjatë viteve, por më pas është arratisur ose është liruar. Arsyet e këtyre lirimeve nuk janë bërë të ditura.

Në shtator të vitit 2026, një grua u vra gjithashtu në Masaka. Pas hetimeve për këtë rast, Mujurizi u arrestua në mesin e tetorit. Tashmë, hetuesit po shqyrtojnë edhe raste të tjera të personave të zhdukur në zonat ku dyshohet se ai ka vepruar. Sipas raportimeve, policia ka sekuestruar prova nga banesa e tij.

Shefi ushtarak Muhoozi Kainerugaba deklaroi se i dyshuari do të dalë para drejtësisë, duke shtuar se do të kërkohet ekzekutimi i tij. Megjithatë, akuzat ndaj Mujurizit duhet të shqyrtohen nga gjykata.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë