Për Albana Vokshin çështja e shpalljes së Sali Berishës non-grata nga SHBA-të u tejkalua dje. Deklarata e deputetes demokrate u bë në emisionin ‘Kontrast’ në Report TV teksa Vokshi shtoi se qytetarët dhanë dje përgjigjen edhe për Amerikën.
“Partia Demokratike nuk ka asnjë rrymë anti-amerikane brenda saj. Përkundrazi është partia që ka pasur dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA si kur është në qeverisje, ashtu edhe në opozitë. Të jesh ‘non-grata’ nuk do të thotë të jesh anti-amerikan. Ajo është një çështje personale e zotit Berisha që po e zgjidh përmes gjykatës në Paris. Qytetarët në 7 korrik dhanë përgjigjen më të mirë për këtë, sepse në protestë nuk kishte vetëm demokratë, por mijëra qytetarë që iu bashkuan Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë” – tha Albana Vokshi.
Ajo shtoi se Partia Demokratike është dhe do të vijojë të jetë një parti sovraniste. Sipas saj, veprimet anti-sovraniste të Lulzim Bashës janë kritikuar dhe fati i tij i mëtejshëm dëshmoi se krahu i ‘Foltorës’ është sovranist.
“Ne jemi pro respektimit të vendeve të NATO-s duke ruajtur sovranitetin. Ashtu edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian çdo shtet ruan sovranitetin bazuar në Kushtetutë. Partia Demokratike pret këdo që do të shprehë mendimin e lire në një diskutim të hapur, por jo të pranojë elementë që duan të kryejnë veprime anarkiste. Janë të mirëseardhur në Front sindikatat, mesuesit, shoqëria civile e të tjerë. Ne e dinim që qytetarët kishin besim tek ne. Ne e dinim që PD është e bashkuar pavarësisht dy-tre deputetëve të mënjanuar. Ka edhe të tillë elementë, por përtej kësaj ishte një ditë shprese. Pas tre vitesh pa protesta, qytetarët reaguan. Unë kam takuar më shumë mësues se në çdo protest tjetër. Fakti që Edi Rama doli dy ditë përpara me dy ministre në krah dhe tha se do të rriste pagat e mësuesve, nuk është e rastësishme. Sepse mendon që duke rritur me 6% pagën e mësuesve apo duke ulur çmimin e naftës tre herë brenda javës, tregoi se Rama trembet nga protesta” – tha deputetja e PD.
A do të ndryshojnë raportet e grupeve parlamentare të PD-së pas protestës së 7 korrikut? Deputetja Albana Vokshi pranoi se ka patur bisedime me deputetë të ‘Grupit Alibeaj’ para protestës së 7 korrikut.
Ajo tha për emisionin ‘Kontrast’ se Lulzim Basha po përpiqet ta minojë PD-në e Berishës në arenën ndërkombëtare.
“Partia Demokratike është baza dhe aty është e bashkuar. Por po, sot ka një problem me Grupin Parlamentar. Nuk janë 35 deputetë, por më pak se aq, që janë të veçuar. Edhe pas protestës ka pasur bisedime me ta. Ndërsa mbledhjet që bën zoti Alibeaj bëhen edhe në mungesë të kuorumit. Por zoti Alibeaj vazhdon me axhendën e tij, që për fat të keq është axhenda e Bashës. Zoti Basha dhe ndonjë tjetër po përpiqen edhe ndërkombëtarisht ta minojnë Partinë Demokratike. Dje në shesh qytetarët tregojnë se nuk hanë bar. Pra në momentin që qeveria sillet si armik me ta, ata çohen dhe protestojnë duke i treguar Edi Ramës të vetmen gjuhë që ai kupton” – tha Vokshi.