'Albanalogjia' e riorganizuar në Akademinë e Shkencave, Vendimi i Qeverisë 'korr' pasoja të tjera, largohet dhe drejtori i Institutit të Antropologjisë, Bardhoshi: 'Fjalën' e ka Gjykata!

'Albanalogjia' e riorganizuar në Akademinë  e Shkencave, Vendimi i Qeverisë 'korr' pasoja të tjera, largohet dhe drejtori i Institutit të Antropologjisë, Bardhoshi:  'Fjalën' e ka  Gjykata!

Studiuesi Nebi Bardhoshi

Vendimi i Këshillit të Ministrave, marrë në 31 maj për mbylljen dhe riorganizimin e e Akademisë së Studimeve Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave, kundër vullnetit të saj ( e kundërshtuar edhe në rrugë ligjore nga ASA) vijon të shkaktojë pasoja. Pas dorëheqjes së studiuesit, arkeologut Luan Përzhita nga drejtimi i ASA-s, është drejtori i Institutit të Antropoplogjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, studiuesi Nebi Bardhoshi që siç shpjegon, i imponuar nga ndryshimet që nuk definojnë përmes shkresave një reformë të mirëmenduar dhe pa dëme në 'kurriz' të punonjësve të 'Albanologjisë' dhe punës kërkimore të saj, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme.


"Shkak kryesor për këtë dorëheqje është VKM-ja nr. 338, datë 31.05.2023, dhe posaçërisht faktet që tregojnë për pasojat e dëmshme që zbatimi saj do të sjellë. Prej se u miratua ky akt nënligjor e deri më sot, Akademia e Studimeve Albanologjike [ASA] u është drejtuar institucioneve përgjegjëse në vend, komunitetit të studiuesve dhe profesoratit, opinionit publik etj., me qëllim bërjen me dije se kjo VKM është e paligjshme dhe se duhen gjetur zgjidhje për të evituar pasojat që sjell shkelja e integritetit institucional dhe lirisë akademike në tërësi. Shkelje me pasoja të rënda jo vetëm për ASA-në, por për gjithë pavarësinë e IAL-ve në Republikën e Shqipërisë. Në këtë frymë komunikimi dhe përgjegjësie publike, ASA-ja është përpjekur të bëjë me dije edhe Akademinë e Shkencave [ASH], iniciuese faktike e kësaj VKM-je, se  rruga e propozuar është e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me frymën ligjore dhe demokratike. Por, në anën tjetër, ASH-ja nuk ka shprehur as më të voglin ndryshim të sjelljes institucionale, prandaj, dhe për këtë arsye, kërkesën e ASH-së, për një takim që u zhvillua me dt. 12. 09. 2023, e refuzova me bindjen se takimi do të ishte thjesht ritualistik dhe jo shenjë e reflektimit institucional për çka po përballej apo kishte përballur vetveten ASH-ja", shkruan Bardhoshi.


Studiuesi vë theksin tek shpërfillja që i është bërë kërkesës së vazhdueshme të stafit të 'Albanologjisë' për konsultime dhe përcaktime të sakta ligjore mbi fatin e këtij institucioni, qoftë edhe përmes takimeve të përbashkëta. 


"Një takim i tillë mund të ishte i mirëkuptuar nëse do të kishim një përpjekje serioze nga Akademia e Shkencave për të adresuar shqetësimet e ngritura nga ASA-ja dhe komuniteti i studiuesve brenda dhe jashtë vendit. Seriozitet do të thoshte që Akademia e Shkencave të paraqiste publikisht një platformë të shkruar. Përveç faktit që kjo platformë do të duhej të ishte e bazuar në një studim të thelluar, ajo duhej patjetër të përmbante këto parime: e para, do të duhej të parashikoheshin vizioni  dhe procedurat e reformimit të vetë Akademisë së Shkencave; së dyti, do të duhej të paraqiteshin garancitë se si do të ruhej integriteti i ASA-së apo instituteve brenda ASH-së", shton ai.


Më tej, Bardhoshi thekson, se ndryshe nga ç'është premtuar përmes fjalës, se studiuesit e ASA-s do të vijojnë të gëzojnë pavarësi në punën e tyre, shkresat e prezantuara (edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve) ku deri më tani tregojnë se 'portofoli' i 'Albanologjisë' por edhe vendimarrja për fatin e njësive (kohëzgjatja e projekteve përshembull) varet nga Akademia e SHkencave, janë faktet e para që tregojnë se në fakt ASA, në vijimësi do të jetë nën kontroll të ASH-së. 


"Akademia e Shkencave jo vetëm nuk merr parasysh shqetësimet e paraqitura publikisht dhe institucionalisht nga ASA-ja dhe nga një komunitet i gjerë studiuesish, por sërish zgjedh të paraqitet para përfaqësuesve të ASA-së vetëm me deklarata dhe në mënyrë aspak të denjë institucionale. Edhe këtë radhë, sikurse është vepruar prej gati një viti, ASH-ja tjetër gjë prezanton dhe premton publikisht dhe tjetër gjë paraqet në letër. Në fakt në letër nuk paraqet asgjë. Shkak për mosparaqitjen e një  dokumenti  të tillë, sipas meje, është një kombinim në mes paaftësisë për të konceptuar një platformë konform ligjit dhe vlerave demokratike të kërkimit shkencor dhe, po aq, nevojës për të pasur kontroll mbi institucionin. Fundja, po të kishim një Akademi Shkencash normale, do të refuzonte të pranonte që të zbatonte një VKM, siç është ajo me nr. 338, e kurrsesi të ishte iniciuese faktike e saj.
Duke qenë se nuk kam asnjë shpresë që ASH-ja do mund të konceptonte një platformë për reformimin e saj, por, mbi të gjitha, duke pasur bindjen se një reformë s’mund të jetë kurrë e plotë, kur ajo bëhet në kundërshtim me ligjin, atëherë e vetmja shpresë për mbrojtjen e integritetit dhe lirisë akademike të ASA-së dhe studiuesve të saj, mbetet mundësia për një vendim të drejtë nga Gjykata Administrative. Dorëheqjet nuk kanë për funksion të lënë shije të mirë, as të marrin lavd me vete, por ama ka raste kur ajo mbetet e vetmja mënyrë për të shprehur qartë vullnetin dhe atë që beson se është e drejtë.", shkruan ai.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje