'Albania. The spirit of the times' përuruar më 30 qershor pranë MACA (Muzeu i Artit Bashkekohor Acri) është konceptuar si një ekspozitë muzeale-lëvizëse, duke filluar nga kryeqendra e arbëreshëve të Italisë së jugut. Kurator i kësaj ekspozite është Artan Shabani, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Kalabria, aty ku 550 vite më parë u vendosën, për t'u përhapur më pas në Sicili, Bazilikatë e në të tjera krahina italiane, komunitetet e para arbëresh, aty ku edhe sot e kësaj dite gjallon gjuha shqipe dhe ku zakonet, kostumet, ritet, simbolet e të parëve vazhdojnë të ruhen dhe të trashëgohen me krenari.
Bëhet fjalë për një projekt afatgjatë që mendova ta fillojë pikërisht nga Kalabria, në atmosferën e vitit kushtuar figurës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në respekt të kujtesës së arbëreshëve, të historisë dhe të kulturës shqiptare të hershme dhe të re. Në ekspozitë prezantohen punime të artistëve shqiptarë, veprat e të cilëve kanë hyrë të bëjnë pjesë në fondin e koleksionistëve italianë, artistë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Itali, studentë të Akademisë së Brerës në Milano etj. Ndër to ngelet për t’u theksuar ndihmesa e veçantë e ish-ambasadorit italian në Shqipëri, Paolo Foresti, i cili me shumë gatishmëri dhe zemërgjerësi vuri në dispozicion pikturat e koleksionit të tij të mrekullueshëm.
Mund të përmend disa nga emrat e artistëve pjesëmarrës: Adrian Devolli, Lefter Shtembari, Skënder Kamberi, Nikolin Ivanaj, Foto Stamo, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Petro Kokushta, Anastas Kostandini Taso, Qamil Prizreni, Vladimir Kekezi, Emin Shaqja, Zini Veshi, Alkan Nallbani, Vangjush Vellahu, Agron Hoti, Arjan Shehaj, Vangjel Gjikondi, Eltjon Valle, Ardit Borici, Adrian Cene, Ina Lajthia, Artur Gorishti, Arben Shira, Fani Zguro etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit tetor dhe pritet që në muajin nëntor të shtegëtojë drejt një muzeu në Veneto e më tej në të tjera krahina të Italisë.