Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka publikuar një opinion në Kyiv Post ku përmend deklaratën e presidentit ukrainas në Beograd se qëndrimi ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar, njësoj si edhe Serbia refuzon njohjen e pavarësisë.
Kurti argumenton se Ukraina duhet ta njohë Kosovën duke e nisur me parimin e integritetit territorial, të cilin nga Beogradi, Zelensky tha se vendi i tij “e respekton.”
Kievi e arsyeton qëndrimin edhe në frikën se njohja mund të përdoret nga Rusia si precedent për territoret ukrainase të pushtuara.
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do të forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur; një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk privohen nga e ardhmja e tyre prej vendeve më të mëdha. Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, shprehet Kurti.
Kurti merr si shembull edhe rastin e Vladimir Putinit me aneksimin e Krimesë, i cili e përdor shpesh për ta krahasuar me Kosovën. Presidenti shkruan se Putinit s’i intereson aspak ligji ndërkombëtar dhe refuzon që rasti i Kosovës të përgjithësohet në një rregull automatik.
“Gabimi qëndron në trajtimin e të gjitha pretendimeve për vetëvendosje sikur ato të ishin juridikisht dhe politikisht të këmbyeshme. Ato nuk janë të tilla. Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik që vlen për çdo mosmarrëveshje tjetër territoriale. Çdo rast duhet të gjykohet mbi bazën e historisë së vet, fakteve të veta dhe, mbi të gjitha, asaj që kanë bërë realisht vendet e përfshira”, shkruan Kurti.
Ai nënvizon edhe pikat e përbashkëta me Ukrainën dhe mbështetjen që Kosova i ka dhënë duke ndjekur politikën e sanksioneve të BE dhe SHBA-ve ndaj Rusisë, strehimin e gazetarëve ukrainas dhe kontributet me ndihmë ushtarake e trajnime. Mbi të gjitha, aspiratën e të dyja vendeve për të qenë pjesë e BE dhe NATO-s.
Me njohjen e Kosovës, ky qëllim do të përforcohej dhe do të rrëzonte pretendimet e Putinit për Kosovën.
“Mbi të gjitha, Kosova dhe Ukraina nuk ndajnë vetëm elemente të së kaluarës dhe të së tashmes. Ato ndajnë edhe të njëjtin orientim drejt së ardhmes. Të dyja synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Njohja e Kosovës do ta përforconte këtë drejtim të përbashkët. Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thotë t'ia demaskojë bllofin Putinit. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të refuzonte përpjekjen e tij për t'i shkrirë raste të ndryshme në një argument të vetëm, sipas interesit të tij”, thotë Kurti.
Shkrimi i plotë i Albin Kurtit:
Këtë gusht, Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy në këtë deklaratë ishte fakti se ajo u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë.
Kosova, nga ana e saj, ka ruajtur gjithashtu qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: një qëndrim mbështetës. Ne kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe BE-së, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë ushtarake dhe trajnime.
Mes Kosovës dhe Ukrainës mund të evidentohen shumë ngjashmëri. Konflikti në Ukrainë është lufta e parë e madhe në Evropë që nga lufta në Kosovë. Të dyja vendet përballen me një fqinj që u referohet në mënyrë të diskutueshme ngjarjeve historike të shumë shekujve më parë, për të justifikuar sot pretendimet mbi territoret e tyre.
Kosova dhe Ukraina ndajnë gjithashtu një histori të mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, në momente të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme, përmes dëshmive të jashtëzakonshme të unitetit ndërkombëtar.
Në një zhvillim të çuditshëm të ngjarjeve, kemi qenë dëshmitarë të një lloj zigzagimi politik. Zelensky është afruar më shumë me Serbinë, një vend që ka refuzuar vazhdimisht të vendosë sanksione ndaj Rusisë, edhe pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit që sollën ndryshimin e udhëheqjes, ndërkohë që vetë Rusia i është referuar vazhdimisht shembullit të Kosovës.
Në fjalimin e tij pas aneksimit të Krimesë, Putini u kthye një mijë vjet pas në histori për të justifikuar pretendimet territoriale të Rusisë. Ai përmendi edhe Kosovën: “Partnerët tanë perëndimorë e krijuan vetë precedentit e Kosovës – në një situatë shumë të ngjashme, siç e pranuan edhe vetë – dhe më pas bërtitën e u ankuan kur banorët e Krimesë ushtruan të njëjtën të drejtë.”
Putini nuk është i interesuar të respektojë të drejtën ndërkombëtare. Referimi i tij ndaj Kosovës është, në fakt, një përpjekje për të diskredituar Perëndimin. Ai e akuzon Perëndimin se dëshiron ta poshtërojë Rusinë, ndërkohë që pretendon se vetë Perëndimi ka krijuar një precedent të paligjshmërisë.
Kosova nuk është e panjohur me reagimet e forta që ka shkaktuar çështja e njohjes së saj. Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, pasi shumica e kufijve evropianë ishin përcaktuar tashmë përmes rendit të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Sot, më shumë se 120 vende e kanë njohur Kosovën dhe që nga fillimi ajo ka gëzuar mbështetjen e aleatëve kryesorë perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë dhe Francën.
Gabimi qëndron në trajtimin e të gjitha pretendimeve për vetëvendosje sikur ato të ishin juridikisht dhe politikisht të këmbyeshme. Ato nuk janë të tilla. Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik që vlen për çdo mosmarrëveshje tjetër territoriale.
Çdo rast duhet të gjykohet mbi bazën e historisë së vet, fakteve të veta dhe, mbi të gjitha, asaj që kanë bërë realisht vendet e përfshira.
Pavarësia e Kosovës nuk ishte as e nxituar dhe as e pamatur. Ajo ishte rezultat i një beteje të gjatë: aparteidit dhe shtypjes së shqiptarëve etnikë në ish-Jugosllavi, të pasuara nga lufta, spastrimi etnik dhe gjenocidi, pasi Serbia kishte kryer tashmë gjenocid në Bosnjë dhe kishte nisur një fushatë për të bërë të njëjtën gjë edhe në Kosovë. Ky proces përfshiu gjithashtu negociata të gjata dhe intensive, të ndërmjetësuara nga Perëndimi.
Serbia pati mundësi të shumta për të negociuar, si para ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, ashtu edhe para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Në pranverën e vitit 1999, të 19 anëtarët e NATO-s ishin të bashkuar në vendimin për të bombarduar një vend evropian: Jugosllavinë e Millosheviqit. Kjo tregon se sa e rëndë ishte situata, veçanërisht po të kemi parasysh se sot 19 vende mezi arrijnë të bien dakord për një komunikatë të përbashkët për shtyp.
Bisedimet zyrtare, që zgjatën disa vjet, për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës nisën në fund të vitit 2005, nën drejtimin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari. Në fund, Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikëqyrur, me një nivel të pashembullt mbrojtjeje për pakicat. Më vonë, në opinionin këshillëdhënës të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Në shtator të vitit 2012, mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë përfundoi.
Kosova nuk është precedenti i Putinit.
Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse Kosova ka rëndësi në këtë argument. E drejta ndërkombëtare nuk kërkon që të pretendojmë se raste thelbësisht të ndryshme janë të njëjta. Njohja e këtyre dallimeve nuk është hipokrizi. Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjë ligji.
Të njëjtin argument për paligjshmërinë e përdor edhe presidenti serb i saporrëzuar nga pushteti, Vuçiqi: se pavarësia e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare, edhe kur kjo nuk është e vërtetë. Ekziston një kontradiktë groteske në thirrjen për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që, më shumë se 25 vjet më vonë, familjet në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e vrarë gjatë luftës dhe varrezat masive, vendndodhjet e të cilave Serbia refuzon t'i bëjë publike.
Këtë verë, vizitova Zubin Potokun, një rajon malor në Kosovë, ku në një lokacion thellë në pyll po nxirren mbetje mortore, që besohet se u përkasin civilëve të rrëmbyer dhe të zhdukur me forcë gjatë luftës. Ndër personat, mbetjet mortore të të cilëve janë identifikuar në këtë lokacion, janë intelektualë, mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, të rrëmbyer më 19 prill 1999. Më shumë se 25 vjet pas luftës, familjet ende vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e civilëve të vrarë.
Ja pra, sa vlerë ka e drejta ndërkombëtare për ta.
Mbi të gjitha, Kosova dhe Ukraina nuk ndajnë vetëm elemente të së kaluarës dhe të së tashmes. Ato ndajnë edhe të njëjtin orientim drejt së ardhmes. Të dyja synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Njohja e Kosovës do ta përforconte këtë drejtim të përbashkët.
Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thotë t'ia demaskojë bllofin Putinit. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të refuzonte përpjekjen e tij për t'i shkrirë raste të ndryshme në një argument të vetëm, sipas interesit të tij.
Një kufi i ndryshuar nga tanket e një superfuqie nuk është i njëjtë me një status të arritur pas një lufte çlirimtare, një administrimi ndërkombëtar dhe diplomacie. Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi. Kutitë e votimit për referendum nuk duhet të transportohen nga ushtarët e një vendi fqinj, siç bënë ushtarët rusë në Krime. Vetëvendosja është e drejta e një populli për të vendosur për fatin e vet, një akt çlirimi në ndjekje të barazisë dhe lirisë, demokracisë emancipuese dhe pavarësisë së vërtetë, e jo zgjerimi apo shtrirja e një shteti tjetër në funksion të ambicieve të tij hegjemoniste.
Kjo ka rëndësi jo vetëm për Ukrainën, por edhe për çdo vend që heziton ta njohë Kosovën nga frika e pasojave që një njohje e tillë mund të ketë për mosmarrëveshjet e veta territoriale.
Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do të forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur; një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk privohen nga e ardhmja e tyre prej vendeve më të mëdha.
Krimea është Ukrainë.
Dhe Kosova është Kosovë.









Komente
Komento