TIRANE- Sipas burimeve nga ministria e Ekonomisë, Albpetroli zotëron një pasuri nafte prej të paktën 1.4 milionë tonësh. Kjo shifër është totali dhe konsiderohet e nxjerrshme, pra pronarit të ri nuk do t'i duhen të bëjë investime, pasi puset janë aktive.

 E shprehur në vlerë monetare, kjo sasi llogaritet në rreth 500 milionë dollarë, duke pasur parasysh kuotën e naftës Brent (angleze) në Bursën e Londrës, që shërben si pikë referimi për llogaritjen e çmimit të shitjes së naftës së Albpetrolit në ankande, natyrisht në bazë të një koeficienti zbritës. Po kështu, gjithnjë sipas këtyre burimeve, kompania zotëron të tjera pasuri, të cilat varen nga pronari i ri dhe aftësia e tij për t'i nxjerrë nga nëntoka.

Studime të ndryshme flasin për rezerva deri në 7 miliardë fuçi naftë bruto, të dhëna këto të përgatitura para 22 vjetësh nga ish-Instituti i Gjeologji-Minierave, por askush nuk ka provuar apo mundur t'i nxjerrë. Në vendin tonë janë hedhur me qindra milionë dollarë për zbulim rezervash, por rezultatet kanë qenë negative, ndërsa vazhdohet edhe sot të shfrytëzohen po ato puse të hapura në kohën e komunizmit.

Në të dhënat e ish-Institutit nuk përfshihen rezervat që mund të zbulohen nën det, pasi nuk ka patur studime të tilla nga institucione shtetërore shqiptare. Kërkimet këtu deri tani janë kryer nga sonda të firmave koncensionare private, të licensuara nga qeveria, që nuk janë në fazën e shfrytëzimit dhe të dhënat e zbulimeve të tyre nuk i kanë bërë në asnjë rast publike. Sipas amendimeve të fundit Albpetrol ka të drejta edhe në zonat detare.
(gk/shqiptarja.com)