TIRANE - 100-vjetor jo vetëm për shpalljen e pavarësisë, por edhe për Albtelekom. Kompania e telekomunikacionit shqiptar shënoi sot 100 vjet nga themelimi i saj. Në kuadër të kësaj dite Albtelekom zhvilloi një konferencë të mbajtur në Hotel “Sheraton”, pjesë e së cilës ishin figura të njohura publike, ministri Genc Pollo, Kryeministri Berisha, e të tjerë personalitete.

Sipas drejtuesve të kompanisë Albtelekom, telekomunikimi në Shqipëri hyri në një epokë të re, ndërsa u shprehën të lumtur për kontributin që kanë dhënë duke i bashkuar shqiptarët me njëri-tjetrin.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha tha se kompania Albtelekom ka kontribuar në zhvillim e shtetit të pavarur shqiptar, duke i dhuruar atij infrastrukturën e parë moderne.“Është një nder i veçantë për mua t’iu uroj në këtë përvjetor, t’iu uroj 100 vjetorin e themelimit të sipërmarrjes dhe shërbimit tuaj, ju uroj suksese gjithnjë e më të mëdha.”, u shpreh shefi i qeverisë.

Ndërkaq, për ministrin e Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, kompania e telekomunikacionit shqiptar ka transformuar jetën e çdo njeriu me shërbime e çmime të arsyeshme. “Këto ndërmarrje dhe industri kanë transformuar jetën e çdo njeriu. Përmes shërbimeve të reja dhe cilësore dhe çmime në ulje vitet e fundit”, tha ministri Pollo.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)