Albumi në Tiranë, realizohet
ëndrra e Rona Nishliut

Albumi në Tiranë, realizohet<br />ëndrra e Rona Nishliut
TIRANE- Në parkun e Kryeministrisë në Tiranë, Rona Nishliu ka kënduar mbrëmë albumin e saj të papublikuar “Me motivet tona”. Kryeministri, Edi Rama, kishte paralajmëruar disa ditë më parë në Facebook se “Ylli i Rona Nishliut do të shkëlqejë në natën e 1 majit në parkun e Kryeministrisë…”.

Zëri kumbues i Rona Nishliut nuk zhgënjeu. Kryeministri Rama çeli koncertin, duke bërë humor me të pranishmit në parkun e Kryeministrisë, ku ishin vendosur edhe tavolinat e koktejlit të pritjes: “Jam këtu në rolin e kryekamarierit. Ndoshta këtu ndonjërit prej jush i kujtohet se patëm një ide vjet për të realizuar në këtë hapësirë kampionatin botëror. Nuk na la shiu dhe pastaj për për të bërë këtë rikthim në këtë fushë, u bë shkak një finaliste e “kampionatit europian”, Rona Nishliu, që e përshëndesim dhe i urojmë mirëseardhjen”.

Kryeministri u ka rrëfyer të pranishmëve sesi nisi ideja e këtij promovimi: “Rona më bëri një kërkesë që albumin e saj të ri ta prezantonte në Tiranë dhe mundësisht në këtë hapësirë. Për mua është privilegj..., dhe është momenti për të thënë se tani kjo hapësirë që u ccel për publikun, do të vijojë të jetë në dispozicion të publikut, të tifozëve, që do të kenë ide dhe projekte dhe do ta marrin këtë pa qira”.

Kryeministri e ka konsideruar këngën e Nishliut si zërin që shkon përtej trojeve shqiptare. “Sonte ne të gjithë që jemi këtu, ndër të tjera nuk jemi vetëm, por jemi me shumë të tjerë, se do ta ndjekin albumin përtej kufijve ata që ndjekin valët e televizionit nga Shqipëria, që janë admirues të Ronës apo dashamirës të muzikës së mirë”. Rama e mbylli fjalën e tij me humor: “Është e tepërt ta  vazhdoj me zërin tim aspak melodioz”, ndërsa i uroi Nishliut koncert të mbarë.

Nishliu falënderoi kryeministrin dhe u shpreh se “Ishtë një ëndërr shumë e gjatë, më në fund sonte realizohet”. Këngëtarja këndoi një tërësi të zhanreve free jazz, trip hop dhe soul, të kombinuara me motive shqiptare. U shoqërua në këtë koncert nga bendi interpretues i përëbërë nga Nesim Maxhuni, Kiril Tufekcievski dhe Edon Ramadani. Albumi i ri i këngëtares është prezantur si pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë për vitin 2015.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Siguria detare, bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni

Siguria detare, bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni