TIRANE-Mbrëmjen e sotme Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi protestën e katërt për rreth një orë te hyrja e pedonales që më parë të çonte te godina e Teatrit Kombëtar. Drejtuesit e Aleancës, Edmond e Robert Budina bashkë me të tjerë fillimisht ishin në Durrës ku mblodhën firma për peticionin për rindërtimin e teatrit aty ku ishte, sikur ishte.

"Presidenti i Republikës tha se nëse populli ngrihet ai do ta shpërndajë parlamentin. Prandaj mos kini frikë", tha Edmond Budina. Ndërsa Robert Budina dhe kreu i degës së PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferri u proceduan penalisht në gjendje të lirë nga policia e Durrësit për organizimin e tubimit para Pallatit të Kulturës.

Më pas u zhvendosën në një protestë në Tiranë, të thirrur pak orë para tubimit. Argumenti i protestës ishte fakti, se sipas protestuesve bashkia e Tiranës rrethoi truallin ku ishte më parë godina e Teatrit Kombëtar. Por Bashkia e Tiranës në një reagim për Report Tv theksoi se 'është rrethuar trualli për të zhbllokuar rrugën në pedonale dhe për siguri, por nuk do të fillojnë punimet".

Në fjalën e tij para protestuesve, ku munguan Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dhe e pranishmja e vetme nga politika ishte ish-deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi, Robert Budina u shpreh para protestuesve që ishin mbledhur te pedonalja se nuk do të lejojnë që të rrethohet trualli ku ishte më parë godina e Teatrit Kombëtar.

Budina pasi e quajti rrugaç, kishte edhe disa paralajmërime për kryeministrin Edi Rama. Irritimi duket se erdhi, pasi kryeministri Edi Rama u shpreh mbrëmë se shumë shpejt do të shikoni një lëvizje qytetare, që do të bëhet partia e Presidentit. 

"T’i zoti rrugaç kujton se duke mbledhur partitë mund të bësh lojërat politike. Do të ta sjellim popullin në shtëpi dhe te Kryeministria. Ne kemi hallin e njerëzve. Nuk duam vetëm Teatrin, duam shpirtin e njerëzve dhe tempullin e demokracisë. Mos bëni kalkulime politike" tha Robert Budina.

Theksojmë se kryeministri Edi Rama u shpreh dje se projekti origjinal i Teatrit Kombëtar që u shemb do të bëhet diku tjetër me një tjetër funksion për fëmijët. Por grupi i artistëve të mbështetur nga opozita kërkon që të bëhet aty ku ishte, sikur ishte.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:22
Budina: Ramës do ia sjellim njerëzit para Kryeministrisë dhe pastaj do vendosim vetë (VIDEO)

Regjisori Robert Budina pasi kthimit nga Durrësi u shpreh para protestuesve që ishin mbledhur te pedonalja se nuk do të lejojnë që të rrethohet trualli ku ishte më parë godina e Teatrit Kombëtar. Budina pasi e quajti rrugaç, kishte edhe disa paralajmërime për kryeministrin Edi Rama.

"Do t'i sjellim njerëzit përpara Kryeministrisë dhe pastaj të gjithë bashkë do të vendosim fatin tonë dhe ju nuk keni asnjë mundësi t'i bëni fshehurazi paktet. Ju duhet të bëni cdo pakt në dritën e kamerave për të kuptuar se cfarë ndodh me ju dhe ty zoti rrugaç.

Do ta shohim ku e ke forcën tënde, ju e kryet krimin. Mos e transformoni këtë lëvizje në teatër politike. Dhe mos bëni kalkulime politike se nuk do të bëjmë pasi ditën që do të bëjmë do të jemi si gjithë të tjerët, do të mbyllemi studiove dhe do të cojmë votat në drejtim të paditur. Protesta është institucion. Përplasjani turinjve atyre, nuk është vetëm grushti dhe armët, ka shumë forca.

Nuk ke shanse të bësh lojë me tempullin e kulturës. Nesër do të jemi në Shkodër. Këta nuk do të kenë asnjë shans të fillojë punimet pasi duhet të marrin përsipër kostot, populli do të jetë aty. Mos guxoni të rrethoni sheshin e demokracisë, nuk keni asnjë shans ose dorëzoni kapelet" mbylli fjalën ai.

Ora 20:14
Ish-deputetja e LSI-së për Report Tv: Protesta u thirr në minutat e fundit, opozita me artistët (VIDEO)

Ish-deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi u shpreh për Report Tv nga protesta te pedonalja se "Opozita e bashkuar dhe ne e kemi shprehur mbështetjen tonë për kauzën e teatrit kemi qëndruar atje, erdhëm në të gjitha protestat. Kjo është një kauzë shumë e rëndësishme. Protesta e sotme u thirr në minutat e fundit. Të bashkohemi të gjithë kundër kësaj qeverie" tha Floida Kërpaçi.

Ora 20:13
Aktivisti: Po përgatitemi për tubim madhështor, SPAK hetime ose përplasje civile (VIDEO)

Pedagogu Ervin Goci u shpreh se pas Durrësit sot, nesër do të shkojnë në Shkodër për të mbledhur firmat për peticionin për të ndërtuar teatrin sikur ishte, aty ku ishte. Ai paralajmëroi se aleanca po përgatitet për një tubim të madh, por kishte edhe një paralajmërim për SPAK-un. "Po përgatitemi për një tubim madhështor për themelet e teatrit dhe kësaj republike, filozofia e sheshit. SPAK të bëjë punën se kjo do të shkaktojë përplasje civile" tha ai.

Ora 20:09
'Kush mbron teatrin shkon në burg'! Pankartat e protestuesve për Teatrin (FOTO)

Në protestën te pedonalja te ministria e Brendshme grupi i aktivistëve për teatrin u shfaqën me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë.

Ora 20:00
Protestë e paligjshme për Teatrin në Durrës! Procedohet Robert Budina dhe kreu i degës së PD-së

Regjisori Robert Budina dhe kreu i degës së PD-së në Durrës Ferdinand Xhaferri janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga policia e Durrësit për organizimin e tubimit para Pallatit të Kulturës. Robert Budina dhe Xhaferri akuzohen për "Organizim dhe pjesëmarrje në manifestime dhe grumbullime të paligjshme".

1590170470_robertbudina.jpg

Ora 19:58
Protesta e paralajmëruar për Teatrin/ Shkojnë aktivistët e parë në protestë, mes tyre edhe Floida Kërpaçi

1590170054_kerpaci.jpg

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka paralajmëruar një protestë në orën 19:30 te hyrja e pedonales që më parë të çonte te godina e Teatrit Kombëtar. Mes aktivistëve të parë në protestë është edhe Floida Kërpaçi, ish-deputete e LSI.

Ora 18:22
Artistët mbledhin firma në Durrës! Budina: Meta tha se nëse populli ngrihet, do ta shpërndajë parlamentin

Pasditen e sotme përpara Pallatit të Kulturës në Durrës Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi një tubim sensibilizues për situatën e krijuar pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Regjisori Robert Budina është shprehur se komuniteti duhet të sensibilizohet për krimin që kreu qeveria hapur fare.

Kurse Edmond Budina tha se do të zhvillohet një tur sensibilizues në të gjithë Shqipërinë që të vrasin frikën e krijuar nga dhuna e pushtetit.

"Nuk kemi çfarë të bëjmë më ndryshe, na ngeli vetëm të luftojmë, kam ndenjur 2 vjet e 3 muaj që t'i frymëzoj njerëzit që forca është fjala, fuqia është mençuria e mendjes, meqë të tjerët nuk përgjigjen unë duhet  të konvertohem me një ushtar.

Po sensibilizojmë komunitetin, po kërkojmë interpelancë në paralment, për krimin që kreu qeveria hapur fare. Është një luftë e madhe, duhet të sillemi si qytetarë. Është koha për kërkim llogarie për veprim demokratik se pse deshën të vrisnin artistët. Do të detyroheni të bëheni si  çeta të vogla që gjithsecili të mbrojë shtëpinë e tij", është shprehur Robert Budina.

"Do të fillojmë një tur në të gjithë qytetet e Shqipërisë për të sensibilizuar qytetarët, të vrasin frikën sepse dhuna e pushtetit është e jashtëzakonshme. ai parlament që merret me individë dhe nuk merret me probleme të popullit duhet të përpiqemi që kultura do të vidhet në krye të politikës. Presidenti i Republikës tha se nëse populli ngrihet ai do ta shpërndajë parlamentin. Prandaj mos kini frikë", tha Edmond Budina.