Aleanca për Teatrin sulmon Sorecën: Të shpallet non grata! Të pamë që hyre në Kushtetuese e dole nga pas! BE: Shpifje, do ndiqen ligjërisht

Aleanca për Teatrin sulmon Sorecën: Të shpallet non grata! Të pamë që hyre në Kushtetuese e dole nga pas! BE: Shpifje, do ndiqen ligjërisht

Përfaqësuesja e Aleancës për Teatrin dhe ambasadori Soreca

Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është në pritje të marrjes së një vendimi në lidhje me çështjen e  ndjeshme të prishjes së Teatrit Kombëtar, Aleanca për Teatrin ka dalë sot dhe ka hedhur një lum akuzash ndaj ambasadorit të BE, Luigi Soreca.

Përfaqësuesja e Aleancës së Teatrit, Ardiana Kalaja është hedhur në sulm  të Sorecës duke e akuzuar të se po ndërhyn në vendimet e Gjykatës Kushtetuese për teatrin dhe po lobon pro kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Këto akuza të rënda, Kalaja i bazon në disa fjalë që njerëzit që përkrahin Aleancën për Teatrin dhe rrinë përballë Gjykatës Kushtetuese e kanë parë ambasadorin të hyjë në Gjykatën Kushtetuese më 16 qershor kur po zhvillohej seanca dhe më pas të dilte nga dera e pasme. Këto akuza janë hedhur poshtë me një reagim të ashpër nga delegacioni i BE-së ku thotë se janë shpifje që do të ndoqën në mënyrë ligjore.

Përfaqësuesja e Aleancës së Teatrit, Adriana Kalaja tha se kërkon nga SPAK të sekuestrojë kamerat e Gjykatës Kushtetuese më 16 qershor, ndërsa shtoi se do marrin të gjithë hapat ligjorë që Soreca të shpallet non grata. Delegacioni i BE-së shkruan se ka pasur një takim mes ambasadorit Soreca dhe Vitore Tushës më 16 qershor, takim që njoftojmë se ka qenë i përcaktuar me kohë dhe se nuk është folur për asnjë moment  për teatrin por për ecurinë  reformën në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve.

“Anëtarë të Aleancës për Teatrin, të cilët punojnë tek bizneset të godinës së Gjykatës Kushtetuese, kanë konstatuar se ditën e mbajtjes së seancës, Luigi Soreca ka bërë një takim jopublik me kreun e gjykatës në 16 qershor dhe më pas ka dalë nga dera e pasme. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e dimë përse ambasadori ka ardhur në këtë ditë seance. Kemi kërkuar të bëhet publike nëse ky takim ka pasur interes publik, kemi kërkuar që të bëhet publike se çfarë është diskutuar.

Për ne fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cenon shumë legjitimitetin e kryetares së Gjykatës dhe pavarësinë, ndërkohë që kanë kryer këtë takim pa e bërë publik për mediat.

Informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar pro kryetarit të Bashkisë, sepse mendon se do e lëmë të kalojë aq lehtë.

Ne me këtë kërkesë së sotme i kemi kërkuar SPAK të sekuestrojë kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese. Nëse do jetë e vërtetë ajo që ne pretendojmë do kërkojmë vetë largimin e kryetares nga trupi gjykues, në të kundërt ne do kërkojmë përjashtimin e gjyqtares nga trupi gjykues. Po bëjmë gati gjithë informacionin do ja bëjmë të ditur BE, sesi një ambasador vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese.

Ne po bëjmë gati dokumentacionin do kallëzohet edhe penalisht, por do ti bëhet e ditur edhe BE. Ne do marrim gjithë hapat ligjorë që Soreca të shpallet non grata”, tha përfaqësuesja e Aleancës për Teatrin

Bazimi i akuzave të rënda në thashetheme e ka kthyer Aleancën për teatrin në një instrument politik, ndërsa zgjidhja e kësaj çështje duket se do të bëhet në dyert e gjykatës mes BE-së dhe Aleancës. Gjykata Kushtetuese më 16 qershor zhvilloi një seancë maratonë prej 12 orësh për çështjen e Teatrit Kombëtar. Presidenti Meta ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e kalimit të pronësisë së Teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Debati për shembjen e Teatrit Kombëtar nisi që në fund të vitit 2017, por godina u rrafshua mëngjesin e 17 majit, ngjarje e cila solli protesta dhe përplasje fizike mes aktivistëve për mbrojtjen e teatrit dhe policisë. Shembja e godinës u realizua pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me disa nga artistët për ndërtimin e godinës së re. Por, artistët u ndanë në dy grupe, pro dhe kundra shembjes së teatrit. PD-LSI u pozicionuan kundër shembjes së Teatrit, duke e kthyer madje edhe në një nga kauzat opozitare. Duke u pozicionuar në krah të PD-LSI, Presidenti Ilir Meta, në korrik të vitit 2019, depozitoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit nr. 37/2018 të Kuvendit, i cili parashikonte ndërtimin e një teatri të ri, rrjedhimisht shembjen e godinës. Gjithashtu, Meta ka kërkuar rrëzimin edhe të vendimit të qeverisë nr. 377 / 2020 për kalimin e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës.   

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:53
Delegacioni i BE përgënjeshtron akuzat e Aleancës për Teatrin ndaj Sorecës: Shpifje që do ndiqen ligjërisht

Pas akuzave që Aleanca për Teatrin ka hedhur për Ambasadorin Luigi Soreca se po ndikon në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Delegacioni i  BE i ka cilësuar shpifje të ulëta që do të ndiqen në rrugë ligjore.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media”, shkruan Delegacioni i BE.

I.K/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 30/06/2021 14:24

    Respekt per punen e deritashme ne Shwiperi te zotit L.Soreca Sa per aleancen e ithtarve te azbest-teatrit,,,,pffff jane dum-babista te rrefuzuar nga shumica e cilesuar e shqiptarve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën