TIRANE-Pas tri vitesh përplasje Teatri Kombëtar u shemb në orët e para të kësaj së diele. Rreth orës 04:30, një mijë forca policie rrethuan godinën e zbrazën për t'iu lënë më pas vendin fadromave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që nisën rrafshimin e të dyja godinave, atij Eksperimental dhe Kombëtar, ligjërisht një kompleks. Grupi i artistëve të Teatrit Kombëtar së bashku me disa politikanë u shoqëruan për disa orë në komisariat, por më pas u liruan të gjithë së bashku me Monika Kryemadhin.

Policia e Shtetit reagoi duke theksuar se më kërkesë të IMT mbështetën aksionin për shembjen e godinës për t'i hapur rrugë projektit të ri. "Me kërkesë nga Inspektorati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t'i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij" deklaron Policia e Shtetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
12 orë aksion! Përfundon shembja totale e Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental (PAMJET NGA LART)

Në orën 16:30 të pasdites së sotme fadromat janë larguar nga Teatri Kombëtar dhe Eksperimental pasi e shembën totalisht. Aksioni nisi në orën 04:30 të mëngjesit dhe përfundoi pas 12 orësh. Report Tv sjell pamjet me dron nga rrënojat e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental. Tashmë mbetet vetëm heqja e inerteve nga dy godinat që janë pjesë e një kompleksi për ta bërë gati për Teatrin e ri.

Ora 14:37
Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagon për Teatrin: Për ligjshmërinë e veprimit vendos Gjykata Kushtetuese, por nuk ishte momenti duhur

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar, duke deklaruar që në fillim që nuk është kompetencë e tyre për t'u shprehur për këtë çështje. Për këtë arsye Komiteti Helsinkut kapet me ide te tjera, pasi deklaron se thjesht ky nuk ishte momenti i duhur për një veprim të tillë, në një kohë kur vendi po përballet me krizën e koronavirusit.

Sakaq Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën thirrje që të shmanget tensionimi i situatës si dhe çdo akt dhune.

"Nuk është në misionin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) për tu shprehur nëse duhej shembur ose jo Teatri Kombëtar. Organet gjyqësore kompetente do të jenë ato që do të vlerësojnë bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit dhe akteve administrative për shembjen e tij, ndërkohë aspekti i kushtetutshmërisë se legjislacionit lidhur me këtë çështje do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

KShH respekton legjitimitetin dhe autoritetin e këtyre organeve, edhe pse ato nuk patën mundësi të shpreheshin në kohë, për shkak të ekzekutimit me urgjencë të shembjes së kësaj godine. KShH vlerëson se, nuk ishte momenti i përshtatshëm për ekzekutimin e këtij vendimi, duke marrë parasysh faktin se për shkak pandemisë globale Covid 19, në vendin tonë është vendosur gjendja e fatkeqsisë natyrore.

Kjo gjendje dikton nevojën që autoritetet të përqendrohen në zbatimin e akteve normative dhe parandalimin e virusit Covid 19. Gjithashtu kemi parasysh faktin se kjo gjendje, ka krijuar vështirësi të shumta sociale-ekonomike për biznesin dhe veçanërisht për grupet në nevojë të shoqërisë që përballen me varfërinë dhe papunësinë. KShH bën thirrje që të shmanget tensionimi i situatës si dhe çdo akt dhune."

Ora 11:45
Aleanca reagon për shembjen e Teatrit: Protesta kundër dhunës dhe arrogancës vazhdon

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paralajmëron se nuk do të dorëzohet edhe pse tashmë fadromat e rrafshuan. "Të gjithë për Teatrin, Teatri për të gjithë! Sot, në orët e para të mëngjesit kulmoi krimi institucional në mes të Tiranës, pas një kalvari shkeljesh ligjore dhe kushtetuese. Qindra forca policore u futën dhunshëm në hapësirat e Teatrit Kombëtar për të larguar qytetarët që kanë qëndruar 27 muaj në mbrojtje të këtij kompleksi ndërtimor pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe evropiane. Me armë zjarri automatike, me sprej piperi dhe me gaz lotsjellës policia ka ndërhyrë duke dhunuar e arrestuar shumë prej protestuesëve.

Kërkojmë njëzëri lirimin e të gjithë qytetarëve të arrestuar. Njëkohësisht i kujtojmë publikut të gjerë se kompleksi i Teatrit Kombëtar është dokumentuar në çdo centimetër në dosjen e dorëzuar pranë organizatës "Europa Nostra" që e ka shpallur muajin e kaluar Teatrin Kombëtar si vlerë e përbashkët evropiane. Në këto raste qytetarët ngrihen në këmbë e bashkohen aty ku vazhdon qëndresa, aty ku do ndërtojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës: te Teatri. Protesta e qytetarëve kundër dhunës dhe arrogancës vazhdon" .

Ora 11:28
Me çfarë ishte ndërtuar dhe çfarë ka mbetur pas prishjes së Teatrit-FOTOT

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është shembur godina e Teatrit Kombëtar. Përmes fotove ju tregojmë me çfarë ishte ndërtuar nga italianët shumë vite më parë dhe cfarë ka mbetur nga godina. Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 2007, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e përjashtoi Teatrin Kombëtar si godine pa status të veçantë.

Ora 09:42
VIDEO nga LART! Teatri Kombëtar i gjithë në tokë

Report Tv sjell pamje të tjera minutë pas minute nga aksioni për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar që është rrafshuar.

Ora 09:23
Report TV sjell pamje me dron nga shembja e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet nga shembja e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Shembja e tyre ka nisur që në orët e para të mëngjesit pavarësisht kundërshtimit të artistëve, qytetarët dhe opozitës.

Prishja nga fadromat e IMT vijon edhe në këto momente, ndër amë herët u larguan të gjitha rekuizimet dhe gardëroba e teatrit për t'iu dorëzuar ArtTurbinës.

 

Ora 09:06
Pamje të reja! Vijon rrafshimi i Teatrit Eksperimental dhe Kombëtar (VIDEO)

Fadromat e IMT-së vijojnë prej orës 04:30 shembjen e Teatrit Eksperimental dhe Kombëtar, që ligjërisht janë një kompleks.

Ora 08:45
Jashtë rrethimit tension! Fadromat vijojnë me rrafshimin e Teatrit Kombëtar (VIDEO)

Jashtë rrethimit të Teatrit Kombëtar vijojnë tensionet dhe shtyrjet mes policisë dhe aktivistëve, ndërsa fadromat thuajse kanë rrafshuar të gjithë godinën.

Ora 08:38
Ora 04:30 e mëngjesit! Momenti i parë kur policia zbarkoi dhe rrethoi Teatrin Kombëtar (VIDEO)

Report Tv sjell momentin e parë në orën 04:30 kur policia zbarkoi duke rrethuar Teatrin Kombëtar për të larguar artistët dhe më pas nisur shembjen e godinës.

Ora 08:01
Vijon shembja e Teatrit Kombëtar, artistë e aktivistë e shohin nga larg (VIDEO)

IMT dhe policia bashkiake kanë vijuar me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, proces që ka nisur që në orën 04:30 të mëngjesit të sotëm. Pas boshatisjes nga gardëroba dhe rekuizitat të godinës, fadromat po vijojnë me prishjen e pjesës tjetër të mbetur të teatrit. Fillimisht u ndërhy në pjesën hyrëse të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Report Tv shihet puna e fadromave për prishjen e godinës së mbetur të teatrit, ndërsa artistë dhe aktivistë që ishin kundër shembjes së saj, janë vendosur në kryqëzimin e pedonales duke parë nga larg këtë proces. Në vendngjarje ka prani të madhe të forcave të policisë të cilët rujanë perimetrin e godinës së teatrit për të mos lejuar që të futet askush.

Ora 07:35
Shembet Teatri, Report TV siguron videon e nxjerrjes së gardërobës dhe rekuizitat nga godina! Dorëzohen tek ArtTurbina

Me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit, policia ka bërë edhe zbrazjen e sallave duke nxjerrë jashtë karriget, sistemin e ndriçimit, pajisjet elektronike dhe video e audio, gardërobën dhe çdo objekt tjetër që ndodhej brenda saj.

Në një video të siguruar në mënyrë ekskluzive nga Report TV, duken punëtorët, të cilën po nxjerrin e rekuizitave dhe gardërobës duke i sistemuar ato për t'ia dorëzuar Institucionit të Teatrit tek ArtTurbina.

Ata janë vendosur në hapësirën e jashtme të godinës së Teatrit Kombëtar duke u sistemuar dhe më pas të transportohen dhe të merren të dorëzim nga Institucioni i Teatrit ArtTurbina.

Megjithëse në video duket se të gjitha objektet në brendësi të teatrit janë nxjerrë jashtë dhe të sistemuara, më herët Monika Kryemadhi tha se Henri Culi ka firmosur një procesverbal që aty brenda s’ka asgjë, duke lejuar prishjen e godinës.  

"Në dijeninë time, më thonë që drejtori i Teatrit ka firmosur një procesverbal që aty brenda s’ka asgjë. Nëse e ka bërë këtë gjë, nuk ka kazino Hervin Culi që të shpëtojë dhe nuk ka audit të të shpëtojë për këtë gjë, nëse ti e ke firmosur. Sepse nëse të kërcënon Edi Rama me auditin e teatrit do ta paguash gjithë jetën tënde jo vetëm me auditin, por gjithë jetën tënde atë që ka bërë sot, atë që iu ka bërë kolegëve të tij. E njoh Hervin Culin e kam mik, por më vjen shumë keq që ka rënë kaq poshtë që të firmosë një gjë të tillë. Turp për të dhe turp për ata që e kanë lejuar të bëjnë këtë gjë", tha Kryemadhi nga Teatri Kombëtar.

Ora 07:25
REPORT TV sjell pamje të tjera si u shemb Teatri Kombëtar nga fadromat

Report Tv sjell pamje të tjera nga aksioni i shembjes së Teatrit Kombëtar në orët e para të ditës së sotme.

Ora 06:56
Ekskluzive/ Pamjet e momentit kur policia ndërhyn në teatër dhe shoqëron mbi 20 persona

Report Tv siguron pamjet ekskluzive të momentit kur forca të shumta policie ndërhynë në Teatrin Kombëtar në orët e para të ditës së sotme për të nxjerrë aktivistët dhe anëtarë grupit të artistëve që ndodheshin brenda duke bërë rezistencë. Tension, shtyrje dhe përplasje mes grupit të artistëve dhe policisë. Në fund mbi 20 aktivistë, artistë dhe përfaqësues politikë të opozitës janë shoqëruar. Neritan Licaj, aktori Robert Budina, arkitekti Astrit Seranaj dhe avokati Artan Manushaqe janë disa nga të shoqëruarit.

Ora 06:34
Momenti kur fadromat shembin Teatrin Kombëtar (VIDEO)

Report Tv sjell pamjet e momentit të shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ora 06:27
Robert Bundina, Neritan Liçaj dhe disa artistë të tjerë janë shoqëruar në komisariat

1589689672_policia.jpg
Disa nga grupi i artistëve që kanë bërë rezistencë janë shoqëruar në komisariat. Mes tyre janë Robert Budina, Neritan Liçaj dhe të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë forca të shumta policie, por edhe qytetarë. Të shoqëruarit janë shpërndarë në disa komisariate në Tiranë.

Ora 06:27
Shoqërohet në komisariat edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi (VIDEO)

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shoqëruar për disa minuta nga policia pas rezistencës në momentin që ndërhyri policia. Të shoqëruarit janë shpërndarë në disa komisariate në Tiranë.