TIRANË- Në 12 orë seancë, Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë në një përfundim për kërkesën e Presidentit Ilir Meta për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Presidenti Meta ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e kalimit të pronësisë së Teatrit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizim të procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Meta e vendosi theksin te fakti që sipas tij fituesi është paracaktuar me ligji.
Gjatë seancës gjyqësore, këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, rrëfeu përpara togave të zeza, të gjitha parregullsitë që sipas tij, qeveria, por edhe institucioni i Bashkisë, kanë bërë në lidhje me këtë çështje. Dervishaj nënvizoi se Këshilli Bashkiak, nuk duhej të vendoste pro prishjes së Teatrit, të paktën, derisa të shprehej Gjykata Kushtetueese.
Sipas presidencës është kërkuar gjithashtu projekti i Teatrit Kombëtar i cili ende nuk ka ardhur. Në lidhje me këto kërkesa të Presidencës për pezullimin e çdo veprimi Gjykata Kushtetuese pritet të marrë nesër një vendim.
Debati për shembjen e Teatrit Kombëtar nisi që në fund të vitit 2017, por godina u rrafshua mëngjesin e 17 majit, ngjarje e cila solli protesta dhe përplasje fizike mes aktivistëve për mbrojtjen e teatrit dhe policisë. Shembja e godinës u realizua pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me disa nga artistët për ndërtimin e godinës së re. Por, artistët u ndanë në dy grupe, pro dhe kundra shembjes së teatrit. PD-LSI u pozicionuan kundër shembjes së Teatrit, duke e kthyer madje edhe në një nga kauzat opozitare. Një pjesë e artistëve dhe opozita kërkonin rinovimin e tij dhe ruajtjen e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë dhe traditës kulturore të Shqipërisë.
Duke u pozicionuar në krah të PD-LSI, Presidenti Ilir Meta, në korrik të vitit 2019, depozitoi një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit nr. 37/2018 të Kuvendit, i cili parashikonte ndërtimin e një teatri të ri, rrjedhimisht shembjen e godinës. Gjithashtu, Meta ka kërkuar rrëzimin edhe të vendimit të qeverisë nr. 377 / 2020 për kalimin e teatrit në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Sipas Metës ligji dhe VKM-ja cenojnë parimet kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare.