TEPELENE - Algjerianë, tunizianë dhe sirianë, 14 vetë, janë ndaluar dje pasdite, nga policia, në Tepelenë, për kalim të paligjshëm të kufirit nga Greqia. Udhërrëfyes të tyre ishin dy shqiptarë, Bajram dhe Qëndrim Qibini, nga fshati Luzat i Tepelënës, të cilët do t’i sillnin të huajt deri në Tiranë përkundrejt shpërblimit prej 600 eurosh.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, bëri të ditur se dje, rreth orrës, një grup shtetasish të huaj me çanta shpine të vogla, po udhëtonin në këmbë përmes pyllit të Ujit të Ftohtë në Tepelenë, për të shmangur postobllokun e policisë.

Sektori Kundër Trafiqeve të Paligjshme të qarkut të Gjirokastrës zhvilloi menjëhërë një operacion, prej nga rezultoi se shtetasit e huaj shoqëroheshin prej dy shqiptarëve nga fshati Luzat i Tepelenës. Grupit të udhëtarëve iu është bërë thirrje për të ndaluar, por, dy shtetasit shqiptarët janë larguar me vrap. Pas disa minutash ata janë kapur dhe identifikuar si banorë të fshatit Luzat me emrat: Bajram Qibini, lindur më 1991 dhe Qëndrim Qibini, lindur më 1982.

Të dy u arrestuan me akuzën e “dhëniës së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, kryer në bashkëpunim”. Dosja e tyre i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)