Brenda vizuales gjallon jeta në trandjen dhe pulsimin e ndryshimeve të njëpasnjëshme. Me edukim realist akademik, artisti kërkon të jetë edhe bashkëkohor, cilësi të shfaqura edhe në ekspozitën e fundit të hapur para ca kohësh në Galerinë Kombëtare Tiranë. Ajo është në vazhdën e ekspozitave të mira, jashtë një programimi si një gjetje apo befasi kulturore. Filipi është një befasi në pikturë, sepse është origjinal.
Në krijimet e tij nuk duken apo shfaqen shtresime të autorëve apo të rrymave të ndryshme në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Autori kërkon të mos imitojë apo të ndjekë askënd. Ky është arti i tij. Kalëmendja e viteve në ekspozime të njëpasnjëshme e bën gjithnjë e më joshës. Filipi është artist që punon shumë dhe kompozimet e shfaqura në ekspozimet e viteve të fundit kanë tërhequr vemendje.
Filipi është piktor qytetar dhe qyteti bëhet shpesh temë e parapëlqyer. I ati projektonte dhe artisti fëmi joshej nga linjat e rregullta që hidheshin në fletët e bardha, ku do të shfaqej një lulishte e re. Fëmijërinë e kalon në Kuçovë.
Ndonëse qytet i ri dhe pa ndonjë bukuri të madhe, kishte marë zhvillim, me një frymë shumë qytetare, me shtresime të ndryshme kulturash nga Perëndimi dhe nga Lindja, me banorë të ardhur nga qytete të tjera të vendit, midis tyre inxhinierë të naftës dhe pilotë, një shtresë të diturish dhe artdashës. Ndër ta fjala ndikonte më shumë se sa pamja. Nxitej ëndrra, e ardhmja, imagjinata.
Vinin nga Italia, studimet në ish Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekia etj, dhe artisti fëmi e ndjen mjedisin intelektual, shumë kozmopolit nga interesat dhe dëshirat. Sot e kujton me shumë nostalgji si një pjesë të jetës, një gjë shumë të veçantë. Veçon bibliotekarin e qytetit me shtatë gjuhë të huaja, por që merrej edhe me pikturë.
Një i afërt në një dosje, bënte piktura me frymë romantike dhe ndikohet prej tyre. Mësuesin e vizatimit, të ardhur nga Tirana e shihte me kavaletin në krah dhe me kasetën e ngjyrave në dorë, tek shkonte matanë kodrave, kalonte rrugicën pranë shtëpisë së tij dhe magjepsej nga silueta që lëshonte. E shikonte kur kthehej përsëri me ndonjë kuadër të bërë nga kodrat përreth.
E ndiqte me kërshëri deri sa humbiste në kthesën pranë. Për t’u dukur si piktor ndërton kavaletin me karrigen e shtëpisë dhe pikturon peisazhet që shfaqen nga oborri i shtëpisë.
I ri kur hyri në Lice Artistik, duke kaluar korridoreve i bënë përshtypje skulpturat e mëdha, dikush i binte violinçelit, një tjetër kalonte me kavalet, ndonjë balerin hidhte hapat lehtësisht sikur shkiste në ajër dhe ndihet në një botë tjetër. Kur dilte në kryeqytet nëpër lokale orkestra luante muzikë, këngëtaret këndonin dhe çiftet vallëzonin në pistë.
Tirana me hapësirën e re, me mjergullën e shiun e dimrit i dukej më shumë si qytet poetik. Kur për një kohë shkoi në emigrim në Venezuelë, por edhe kur ka qenë edhe jashtë shtetit, në qytetet pikante, të mrekulleshme, ku kalonte pushimet e verës me gurishtet e zallishtet e Bënçës, të Vjosës apo të Drinos që ndrinin.
E merrte malli për Kuçovën, që kishte lidhje me fëmijërinë, për Tepelenën. Vegime të forta i vinin edhe për Tiranën që siç shprehet “ishte e pamundura, më e bukura e jetës”. Kujtimet vinin të shndritshëm me dimrin, vuajtjet, këpucët që fusnin ujë kur binte shi. Kur rikthehet nga emigrimi gjeti një Tiranë të pushtuar nga kioskat dhe pastaj një shndërrim të madh e të përditshëm sa sot kryeqyteti ka marrë përmasat e një qyteti të madh evropian. I mbeti dashuria për kryeqytetin si një peshë që e mori me vete kudo ku shkoi.
Është piktor i dy epokave. Në themel të tyre është një rrjedhë e brendshme, një traditë e fortë, si pasojë e një formimi artistk, të cilit artistit i vjen i fortë nga librat në sensin e analizës, prandaj arti i tij është racional. Tashmë është i lirë, por nuk i pëlqen liria për t’u dukur apo për të qenë “në rregull” me kohën. “E mundoja veten për të analizuar dhe për të kuptuar thelbin e kohës, vendin e rolin e artit, duke provuar shumë gjëra brenda vetes”.
Analiza që i bën vetes mbështetet në formimin akademik dhe si lipset ta shfrytëzojë atë, sepse ka derdhur djersë e mund. Nuk mund ta hedhë poshtë e ta shndërrojë dhe në se duhet të ndodhë ajo duhet të vijë vetvetiu dhe jo e shtyrë.
Themelet e hedhura me kohë janë të fortë, ka qenë student i jashtëzakonshëm që ra në sy edhe për prirje të kohës. Është piktor që luan shumë me figurën në përmasa të padiskutueshme, por çfarë do të bëj që piktura të ketë tharmin e kohës, modernes, të vij në këtë kohë.
Fillon të lexojë edhe literaturë për të kuptar edhe psikologjikisht se si ishte koha, por nga ana tjetër kishte ndjesinë e së kaluarës, atëhere kur bënte një tablo të madhe dhe në mendje i vijnë imazhet e inxhinierëve të Byrosë Konstruktive të Kombinatit (Fabrika e Ngjyrosjes së bezes, Berat), shumë të apasionuar pas artistëve, përreth dëngjet e pafund të letrave të tabakëve mbushur me vizatime teknike që ata bënin, të objekteve para se sa t’i çonin në realizim, i krijonin një lloj magjie, që i nxiste fantazinë e së ardhmes dhe në mendje krijonte sikur në këtë sfondin e vizatimeve teknike, të jetë një figurë e Rembrandit apo e Mikelanxhelos. Kështu ndërthurte abstrakten me konkreten.
“Abstraktia e shekullin të njëzetë, shprehet autori, në esencën e vet kishte revolucionin tekniko – shkencor në emocion. Ndryshe në kohën e Rembrandit që nuk ishte kjo gjë.
Kishte tjetër sens, tjetër thelb filozofik epoka. Dmth në kohën e Leonardos kishte hyjnizimin e njeriut në përmasën e Zotit, sepse i ktheu shenjtorët në njerëz dhe arti kishte një frymë sublime. Kurse në kohën e Rembrandit ishte më realist koha e një kontakti më realist me jetën. Shekulli i njëzetë e filloi nga qerrja dhe kaloi në anijet kozmike e deri tek vajtja në Hënë.
Kjo është epoka që mendoj se është në një sens moderne, thelbësor dhe thashë do të përdor sfondin. Njeriu është gjithmonë njëlloj. Atëhere me që po vjen një epokë tjetër, do të flas me një gjuhë universale, elementësh universal, sepse më vinte më për mbarë ajo frymë, se sa elementët bruto, kështu në natyrë”.
Në shkollë gjithmonë arrin rezultate të larta në mësime në të gjitha lëndët dhe këtu fillon ngjizja konceptuale e artit. Duke i pasur në barazpeshë si formimin shkencor ashtu dhe atë emocionalo – artistik, Filipi është dëshmi e racionalitetit, ku ndjenja shtrohet e bindet ndaj peshës së arsyetimit, që shpie në një koncept të fortë racional, që shtrihet e përhapet në çdo tablo e në çdo kompozim.
Me kohë tërhiqet edhe ndaj filozofisë. Lexon shumë dhe filozofia i sjell meditime që më pas i filtrohen në pikturë, por piktura ka të bëjë me të perceptuarit, të gëlltiturit të realitetit dhe më pas të nxjerrjes në telajo dhe kjo e ndihmon, janë pjesë e një formimi të përgjithshëm intelektual tek artisti, sepse vetë artisti është një fenomen, një qenie intelektuale. Artisti është i qartë në kërkimet e tij.
Shtjellimet e arsyetimit artistik ai i ka të qarta. Nuk ka dyzime në shpjegime. Në fillim është përpjekja për njohjen dhe në ndërgjegje i krijohet një shtjellë jo e qartë e formës dhe ndjesisë. Pastaj fillon e shfaqet kontrolli i ndjesisë deri në kapjen e rezultatit të kërkuar në telajo.
Kjo është pjesë e përpjekjes që bën që vepra e tij të jetë sa më në thelb me peshë, ta mbajë në vetvete atë që kërkon, cilësinë e një vepre arti me të gjithë elementët e saj, sa mjeshtëror, kulturor e bashkëkohor, sepse edhe analiza sociale e epokës që artisti bën është pjesë e një formimi intelektual. Nuk mund të bëhet me shqisa apo biseda nëpër kafene, që edhe ato pjesë të intuitës janë të artistit për të kapur me vëmendje gjërat. Mirë është që këto të ruajnë një masë se bëhen celebrare dhe bëhen më shumë element filozofik se sa artistik. Pra, duhen ruajtur disa raporte midis ndjesive, midis befasive.
Arti i tij është racional dhe me kohë e thellon këtë frymë me emocion piktorik, drejt një ndërtimi filozofik, ku flet metafora, nënteksti, shtersimet e ndryshme. Përgjegjësia intelektuale e shtyn gjithmonë ta ketë argumentin, pse e kam bërë këtë tablo dhe për të nuk ka rëndësi, se në ç’raport apo se çfarë mendojnë e kritikojnë të tjerët.
Si çdo ekspozitë edhe kjo e ka një shtysë. “Para disa vjetësh, shprehet ai, pata një ngacmim emocional, që solli lindjen e idesë, një qartësi që përbënin elementët e një peisazhi, që kishte të bënte me ndryshimin dhe veçimin, me atë që është pak a shumë në tablotë e mija kompozicionale, të asaj që ishte më kryesore dhe në rastin konkret ishin pemët, objekti kryesor që përbënin kompozmin e peisazhit dhe sfondit arkitektonik. U ideuan këto në dy skaje për të rritur dendësinë emocionale dhe e zhvilluan arkitekturën gati në përmasën e projektit, ku linja dhe koloriti jo intensiv, por i qetë në raport me plastikën, penelatat punktale dhe me volumin e tyre. Ndihesha shumë i entuziazmuar”.
E tërhiqte kryeqyteti, ngritja e ndërtesave, zgjerimi i rrugëve, ngjyrat e forta, pemët me hijet e mëdha si dhe reklamat e shumta. Pesha e së kaluarës iu shfaq si një çlirim frymëzimi.
Filipi ka kohë që ecën rrugëve të Tiranës. Nga shtëpia në studio ditë për ditë bën të njëjtën rrugë, herë në këmbë e herë me autobuz. Ndjen ndryshimin e madh që ndodh përpara syve. Imazhet e njëpasnjëshme, janë motive që e shoqërojnë, sillen e risillen, vijnë e grumbullohen në mendje, duke ndezur vatrën e krijimit. Qyteti ndryshon, dritat, pemët janë gjithnjë e më të pranishme dhe në nënndërgjegjen e artistit dhe duke i vëzhguar edhe nga autobuzi këto çaste, ktheheshin të bukura, interesante. Vëzhgon kur i pëlqen pamja, bën ndonjë vizatim, në një rast tjetër një fotografi, por peisazhet që krijohen më pas nuk ngjajnë aspak me fotografinë që bën, sepse nuk niset të bëj fotografi, por projekton veprën e ardhshme dhe në këtë rast pamja fotografike është një mjet pune në krijimin artistik më pas në telajo.
Ashtu siç mblidhen retë në qiell edhe këto imazhe u grumbulluan dhe më pas u derdhën për të prodhuar kompozimet e ekspozitës. Ndërkohë që ngrinte ekspozitën jo rrallë i qëllonte që në biseda me kolegë ndonjë t’i thoshte, “ti qofsh që shikon kaq bukuri në Tiranë” ! Por atij nuk më dukej kush e di se çfarë kishte bërë, i dukej krejt e zakonshme, pjesë e qytetit që zhvillohet.
Në vitet ’70-të kur ndiqte studimet shikon njerëzit të veshur në një ton, në një kafe apo gri. Mjaftonte një pulovër e sjellë nga jashtë nga dikush binte në sy, sikur kush e di se çfarë kishte. Tani njerëzit vishen bukur, ecin bukur, por jo se nuk kanë probleme. Është i ndërgjegjshëm për problemet, luftën mediatike mbi betonizimit, por ai ka syrin e piktorit që ve re edhe ndryshimin më të vogël dhe ky ndryshim është i sjellë në vite, kur ai nxënës e më pas student kalonte rrugëve të Tiranës dhe shumica e gjërave ishin gri apo kafe, ndërtesat, veshjet etj.
Jo se nuk sheh mangësi dhe nuk ka vërejtje, por në analizën e fakteve dhe të vërtetave që bën arrin në përfundimin, se jeta është e bukur dhe duhet jetuar si në thënien që, kush sheh nga ërrësira errësirë do të gjejë dhe kush sheh nga drita, dritë do të gjejë. Këtë thënie vërtetësie piktori e ka të mishëruar në forminin e tij estetik dhe artistik.
Ky rrugëtim sa artistik edhe profesional vjen nga ngacmimi në kalimin në rrugë, ashtu siç i ndodh çdo krijuesi. Si një shkrimtar që nga një ngjarje në rrugë (jetë) krijon një vepër letrare edhe Filipi më pas rikthehet në studio dhe e ripunon atë që ka ndeshur në rrugë, në natyrë. Në këtë rast nuk ka shumë nga materiali (fotografia). Fotografia është pak, thjesht një fillesë.
Pastaj e vendos vetën në gjendjen emocionale kur ndaloi këmbët e skicoi, kur i pëlque pamja dhe ndërkohë që e realizon në studio përjeton përsëri të njëjtën ndjesi, pa iu drejtuar thjesht asaj që i jep fotografia, “sepse, shprehet artisti, çudia është se ty të pëlqen dhe kur e shikon fotografinë nuk të pëlqen ai çast, sepse nga fotografia marr ato gjëra, ose atë gjë që ka lidhje me emocionin, ndjesinë që të krijon kur e ke parë. Më ka ndodhur vërtet kështu, vijon artisti, kur pasi pasi kam mbaruar një punë dhe mendova se e kisha shumë të vërtetë, por si duket kisha bërë ato gjëra që më kishte bërë përshtypje, më kishte pëlqyer kur kisha vendosur ta bëja atë motiv, atë skenë dhe kur kam shkuar për ta shikuar dhe pothuajse nuk e gjeja se ku ishte”.
Ndjenjë drejt së ardhmes, artisti e ka në vetvete dhe shprehet se “na duhet sjellja e mirë dhe për të kemi shumë nevojë, sepse duket sikur të gjithë shtyhemi vetëm për të shkatërruar çdo gjë me shprehjet “Jo nuk jemi”, “Nuk bëhemi”. Dëgjon përditë një debat për zhvillimin e Tiranës që fryhet e fryhet, jo betonizimi dhe fshirja e gjurmëve të vjetra të qytetit, por artisti mendon se asnjë gjë nuk është plotësisht gabim dhe asnjë gjë nuk është plotësisht e drejtë.
Shumë kanë të drejtë dhe arsye për të mos u ndjerë mirë, por nga ana tjetër tjetër ky është vendi ynë, rrojmë këtu dhe ky peisazh na shoqëron për ditë me pasionet, me kënaqësitë, por që herë befasohemi e themi, sa bukur duket ! Puna është se si i mëshohet dhe me çfarë sensi e shikon Tiranën. Nuk mund të thuash që një qytet modern nuk do të ketë beton. Problemi është i keqtrajtimit vende-vende. Me këtë lipset të merren ata që duhet të merren. Kam dashuri dhe vazhdoj ta kem ndjesinë e bukur për Tiranën”.
Piktori nuk ka nostalgji për Tiranën e vjetër, për rrugicat, për qetësinë e dikurshme, për ta kapur në kënde e vështrime piktoreske. Sot Tirana ka më zhurmë, janë shtuar makinat, por janë edhe shtuar pemët, ka një gjallëri më të madh dhe në peisazhet e paraqitura ndihet edhe një ajër i pastër, që e përkëdhel në të gjitha krijimet.
“Tirana, thotë piktori, është vend i begatë, me dritë e me diell dhe ka shumë ndërtimeve arkitektonike të mira. Ndihen që janë luksoze. Mund të ishin më mirë, por mund të ishin edhe më keq. Ndjej brenda vetes respekt për vendin ku jetoj. Edhe kur kritikon pjesë e respektit është, si edhe kur pohon diçka. Ndonjëherë po t’i rëndosh më shumë një gjëje, se sa një tjetre, krijohet çrregullimi. Kemi nevojë që ta ndjejmë të bukurën, sepse ngadonjëherë mënyra se si e shikon atë është pjesë e qëndrimit që mban në jetë për t’u ndjerë më mirë. Jo çdo gjë në botë na duket shumë e bukur. Kur vemi ndonjëherë jashtë edhe zhgënjehemi, se edhe andej ka sa të duash edhe plehra, edhe gjëra apo gjendje kaotike si në vendin tonë. Natyrisht ka edhe vende shumë të zhvilluara që janë ëndërr për t’u arritur”.
Peisazhet janë në përmasa të mëdha dhe autori pothuajse e ka zhdukur largësinë nga shikuesi tek telajo, duke e bërë shumë të afërt, ndihesh sikur futesh drejtpërdrejt në to. Tablotë janë trajtuar me kënaqësinë që të jep pamja e tyre në realitet, befasia që e kap autorin kur i shikon dhe kur gjendet para tyre.
Janë të lidhur me një nënshtrat stilistik për t’u shprehur në mënyrë vetiake në ato elementë që përbëjnë idividualizimin e veprës. Ato dallohet për mjetet shprehëse, ruhet objekti apo figura, e cila vendoset e rregullt, e plotë, si e tillë ruhet edhe njeriu, por artisti abstragon me sfondin shumë abstrakt, si një element më shumë teknik dhe dekorativ. Penelatat në krijimin e objekteve apo personazheve në dallim nga qielli janë më të lira dhe të shpenguara, shumë emocionale dhe jo rrallë dalin e shfaqen njolla të përmbajtura për të rritur magjinë e kompozimeve në në linjat e hequra me kujdes, figurat gjeometrike, të futura me tendencë në një mendim filozofik drejt gjithësisë, sidomos kjo e fundin në kompozimet.
Artisti mban një lidhje studio – natyrë. Përvoja nxit qëndrimin në studio dhe puna aty përfshin rutinën e pafundme artistike e intelektuale, lidhje me njohjen e proceseve të ndryshme të krijimit, me fenomenet që ndodhin, vendosjet koloristike, përmasat dhe raportet, analiza psikologjike e sociale, që përbëjnë formimin e përgjithshëm intelektual të domosdoshëm të një artisti.
Por dalja në natyrë është e domosdoshme, është një lloj oksigjeni, një lloj energjie tjetër. Mund të mos jetë i dukshëm, por i fshehur. I barazpeshuar në dëshira ndërmjet shkencës dhe artit, Filipi merr emocionin nga natyra dhe e përpunon në ndërjegje ku i ndizen vatrat e krijimit, por kur e derdh në telajo emocioni fillon e formëzohet racionalisht.
Vizatues i lindur Filipi do ta rrisë në vite shqisën e vëzhgimit të bukur të gjërave dhe si pa dashje merr lapsin e bën pemë, shtëpi, njerëz “dhe e gjithë jeta, thotë, më pas është një përpjekje për ta kuptuar gjithnjë e më mirë bërjen e kësaj peme, volumin, portretin e asaj peme, ta veçosh nga pemët e tjera dhe t’i japësh vendin që ze në hapësirë”. Si të tilla ato kthehen në personazhe, kanë vendin dhe fizionominë e veçantë. Kështu pemët zenë peshë në tablo, kjo është jo thjesht një gjetje estetike e piktorike, por realiteti është i tillë. “Është një e vërtetë që në Tiranë sot, thotë piktori, ecën në hije në të gjithë rrugët kryesore. Kudo po mbillen pemë dhe e ndjejmë praninë e tyre.
Kjo është gjë e bukur, se ku ka pemë, ka edhe rrugë të asfaltuara, me trotuare, të rregullta, duken bukur edhe ndërtesat. Ky shekull, ndërtesën e tipit qiellgërvishës e pati zbulim. Një nga arsyet që na pëlqen në botë janë edhe objektet, përveç monumenteve të vjetra të stilit barok, që i ka kryesisht Evropa e mrekullueshme, por ama edhe Parisi e ndjeu nevojën që të krijonte një grup me ndërtesa të larta për ta përthyer pak mononinë e arkitekturës së ndërtesave të vjetra”.
Edhe pse peisazhe, punët e paraqitura janë më shumë janë tablo kompozicionale, të bëra me një koncept estetik, si në një plan për t’u përballur me kundërthenien, me të saktën. Janë larg peisazheve tradicionalë dhe atyre me përmasa të vogla dhe paraqesin kompozime me tema nga jeta urbane e qytetit, me jetë intensive, larmi formash. “Ato, thotë autori, kanë një gjuhë më pak sociale, ku ke të bësh me njeriun, me problemet e tij, me arkitekturën, të renë që shfaqet edhe në veshje, mënyra se si qëndrojnë, se si grupohen, se si lëvizin njerëzit, sepse edhe njeriu ka pësuar transformimin. Nuk do të shkonte që një njeri i vershur keq të ishte i pranishëm në një peisazh të tillë”.
Në tablotë e paraqitura ndihen qiejt monokrom në sipërfaqe të mëdha, por që janë si mbështetëse të kompozimeve, priten nga objekte të ndryshëm dhe ku pemët rëndojnë me peshën e tyre, me shumë hapësirë dhe ndjell ndjesinë e një qielli të madh. Qielli është një element i domosdoshëm, është hapësirë, frymëmarrje dhe lexohen më mirë elementët plastikë të pemëve, të arkitekturës, krijon më emocion, etj. Mbështetur në kundërvenien, një sipërfaqe e ngacmuar me një sipërfaqe të qetë, duke prishur kakofoninë.
Kompozimet e Filipit nuk janë thjesht pasqyruese të një realiteti në ndryshim. Kjo do të ishte më e pakta që mund të thuhet për të. Ekspozita ka një frymëmarrje të vetën, ngre probleme estetike të këndvështrimit të një fenomeni që është në zhvillim e sipër, ta asaj që përjetojmë çdo ditë.
Artisti mban qëndrim dhe është për një art të angazhuar. edhe pse ndihet optimist, nëpët telajo lëvizin personazhe që i prekim në përditshmërinë tonë. Një gajdexhi që nuk lyp por i bie lodrës, njerëz që presin me padurim ardhjen e urbanit, të rinj të shpenguar, pensionistë që vrasin kohën dhe në mes tyre një punonjëse seksi e bukur si ajo vetë që e mbuluar dhe e fshehur nën një maskë, imazh i marë drejtpërdrejt nga jeta, shet trupin por jo shpirtin.
Dikur kryeqyteti ishte një qytet i qetë, por Tirana ka ndryshuar. Ndonëse me probleme e me shernajën që e shoqëron shkon drejt një qyteti me peshë qendërzuese gjithnjë e më shumë për të gjithë vendin. Për të bërë një metaforë dhe po të huazojmë titullin i një romani të Ismail Kadaresë pra, Tirana nga një qytet pa reklama dhe ku rrallë lëvizte gjë, me qetësi urbanistike dhe trafik, ku kalimtarët mbanin peshën kryesore të rrugëve e shesheve, sot Tirana është bërë një qytet me reklama, i ka të gjitha, vitrina të mbushura me manekinë, veshje, stoli etj., etj. Ato të entuziazmojnë dhe të krijojnë ndjesinë e të jetuarit në një qytet modern.
Autori ecën me kohën dhe ndjen ritmin e saj, dëshmon të sotmen dhe është i bindur për të nesërmen edhe pse përpjekjet i ngjajnë mundimeve të Sizifit që mbyll serinë e kompozimeve në ekspozitë.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com