Mijëra traktorë janë rreshtuar në rrugët kombëtare të Greqisë, zyrat doganore dhe pika kyçe, me demonstratat që tashmë po marrin karakter kombëtar. Fermerët grekë po intensifikojnë presionin mbi qeverinë, pasi bllokadat forcohen çdo ditë dhe numri i traktorëve të rreshtuar në rrugët kryesore të vendit po rritet vazhdimisht. Ditët në vijim janë konsideruar kritike, ndërsa organizatorët po shohin mundësinë e bllokimit të përgjithshëm të akseve rrugore dhe porteve.
Të premten pasdite u regjistruan incidente serioze pranë Selanikut. Fermerë nga Selaniku Lindor dhe Halkidiki tentuan të thyejnë barrikadën e policisë për të lëvizur drejt qendrës aeroportuale "Maqedonia". Fermerët raportojnë se nga ana e tyre ka katër të plagosur, disa prej të cilëve nga përdorimi i gazit lotsjellës. Gjithashtu edhe policia referoi në prokurori lëndimin e një efektivi, shkruan CNN grek.
Shefi i qeverisë greke Kyriakos Mitsotakis, ripërsëriti thirrjen për dialog teksa ishte i pranishëm në një aktivitet publik.
"Qeveria është e hapur për dialog. Fermerët duhet të paraqiten në mënyrë të organizuar, me përfaqësim të caktuar dhe me kërkesa konkrete, dhe ne jemi këtu për të bërë më të mirën që mundemi. Protestat duhet të marrin parasysh edhe pasojat tek komuniteti më i gjerë.", tha ai.
Fermerët thonë se nuk do të marrin pjesë në dialog pa angazhime të qarta për zgjidhjen e problemeve të tyre bazë. Ata theksojnë se çdo iniciativë për diskutim në këtë kohë minon përpjekjet e tyre dhe insistojnë mbi nevojën për një veprim të koordinuar kombëtar.
Këtë javë fermerët synojnë ta mbyllin me të paktën 30 pika bllokimi në të gjithë Greqinë, ndërsa nga e hëna e javës që vjen protesta do të përshkallëzohet me bllokimin e porteve. Porti i Volosit është shënjestruar si i pari që do të bllokohet, si nga deti ashtu edhe nga toka.

Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të mbyllet sërish mbrëmjen e së shtunës nga ora 19:00 deri në 22:00 me orën greke për shkak të protestave të fermerëve në vendin fqinj. Policia e Gjirokastrës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.
Pala greke ka njoftuar autoritetet doganore në Kakavijë për mbylljen e aksit në këtë fashë orare.
"Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.", njofton policia.
Greqia është “paralizuar” prej ditësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni. Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.
Komente









