Dhe mu kujtua Nonda Bulka shkrimtarit i madh i viteve ’30 që bashkë me Dhimitër Paskon (Mitrush Kutelin ), Sterio Spassen, Branko Merxhanin, Ernest Koliqin, Migjenin, Nebil Cikën e të tje., qenë pararoja e një brezi të tërë shkrimtarësh dhe publicistësh që letërsinë tonë, me tradita modeste, e ngritën në maja që zor se janë kapërcyer edhe sot. Në shtypin e atyre viteve gazeta që kishte një ese, një fejton, tregim apo poezi, me firmën e N. Bulkës shitej menjëherë. Ai shkëlqeu si meteor në qiellin e mugët mesjetar të Shqipërisë dhe sot është i harruar, sikur të mos ketë qenë kurrë ndonëse vepra e tij është një pasuri e çmuar në fondin e pakët të traditës sonë.
Armiqtë më të mëdhenj të diktaturave, neodiktaturave dhe regjimeve autoritare janë librat e mirë dhe autorët e tyre. Në shoqërinë primitive shqiptare të kohës, që fatkeqësisht, në forma të tjera, ekziston edhe tani, ishte situatë e rëndë ajo që diktonte temat dhe idetë dhe satiristi i madh nuk mund mos të vinte re mjerimin ekstrem , arbitraritetin e bejlurçisë, injorancën dhe makutërinë e nëpunësve të korruptuar. Ai jetonte me të vërtetën dhe kishte nevojë që ta shprehte atë.
Pikërisht këtu e ka bazën fryma qytetare dhe demokratike vepra e tij. Edhe pse shkroi për kohën e vet Nonda Bulka ka parë nga e ardhmja, nga koha jonë. Ja pse edhe sot na ndjekin fantazmat e asaj bote të kaluar, se shqiptarëve, për fatin e tyre të keq, u mungon kujtesa historike. Këtu duhet kërkuar edhe shkaku pse ne hyjmë të fundit në formacionet e reja shoqëroro - politike.
Shqiptarët mësohen me të keqen dhe nuk bëjnë asgjë për të shpëtuar prej saj. Nonda Bulka qe ndryshe ; me penën e tij ai e kundërshtoi me guxim të keqen shoqërore ndonëse nga ky kundërshtim e pësoi disa herë. Vepra e tij është një britmë rebelimi, herë e hapur e herë e heshtur. Edhe në këto kushte shkrimtarin nuk e braktisi shpirti romantik por gjeti rrugë për të shprehur vetveten.
Lexuesit nuk mund mos t’i bjerë në sy lakonizmi, ekspresiviteti dhe bukuria e frazës. Ai është mjeshtër i rrallë me një përkujdesje të veçantë për frazën dhe fjalën me ngarkesa metaforike. Por, mbi të gjitha, suksesin shkrimtari e kishte tek temat që zgjidhte. Ato janë pasqyrë e realitetit të kohës të vendit apo të botës.
Varfëria, injoranca, korrupsioni, fanatizmi fetar, përbëjnë substancën e veprës së N. Bulkës. Dhe kjo, siç thamë, nuk është një angazhim i detyruar por buronte nga personaliteti i tij. Kredon e tij krijuese e gjen te shkrimi “Horizonte të reja për letërsinë kombëtare“ që në një farë mënyre është manifesti i një brezi të tërë shkrimtarësh të atyre viteve për ta orientuar artin dhe letërsinë drejt njerëzve, shqetësimeve të tyre, halleve dhe problemeve. Kjo i bënte krijimet të afërta për njerëzit por kurrsesi “armë dhe mjet në edukimin klasor revolucionar“ siç do të kërkonte më vonë e ashtuquajtura letërsi e realizmit socialist.
Për krijimtarinë e N. Bulkës dhe e shumë të tjerëve ishin të huaja këto diktate politike, këto rregulla të ngurta që nuk kishin të bënin me arti e vërtetë prandaj dhe ai shkruante në manifestin letrar: ”Sa e sa tema virgjëresha presin penën e tyre…katundari që vuan prej krizës, mallkimet që shfryn malsori i shkretë kundër botës… kundër aksidentit që po i kanoset atdheut, vobekësia,vuajtja,gënjeshtra,djallëzia, harbutllëku… a nuk janë shpikje të këtij shekulli pa din e pa iman”.
Këto që proklamonte shkrimtari i realizoi: Krijimtaria e tij është një mozaik i bukur që meriton të njihet dhe të vlerësohet brez pas brezi. Pamfletet, skicat dhe fejtonet, tregimet e shkurtra si”Mëm’ e bir”,”Dy pika lot”, “Vija e vdekjes”, ”Mësim gjeografie’’, “Gjysmë ore italian”, “Vdekja e bilbilit” e tje. ishin krijime “par exelence”. Por nuk mund të flasim me të njëjtën konsiderata për krijimtarinë e Nonda Bulkës edhe pas “çlirimit” kur tashmë ishin sanksionuar rregulla të rrepta ideologjike. Megjithatë, me gjuhën e Ezopit, që shkrimtari e njihte aq mirë, jo rrallë herë i shpëtoi censurës. Le të përmendim këtu faktin që fabulat e shkrimtarit tonë nuk kanë asgjë mangët nga fabulat e klasikëve botëror dhe shpesh herë godasin ashpër fenomene të epokës së “ndritur socialist”.
Me interes janë dhe shkrimet e N. Bulkës për shkrimtarë të traditës sonë dhe të huaj. Ndoshta shtysë për këtë ka qenë jo vetëm puna shumëvjeçare si pedagog i letërsisë frënge dhe shqipe por edhe një mënyrë për t’iu shmangur krijimtarisë së drejtpërdrejt letrare që tashmë shpesh të shtinte në telashe. Edhe këto shkrime janë modele në llojin e tyre. Shkrimet kushtuar Servantesit, Hygoit, Deni Diderosë, Naim Frashërit, Migjenit, Nolit De Radës, Çajupit etje, janë ese të frymëzuara që në pak faqe evokojnë madhështinë e këtyre korifenjve të artit.
Por nuk mund mos të vëmë re se krijimtaria më e mirë e N.Bulkës është ajo e viteve ’30-‘40 të shekullit të kaluar, kur trysnia nuk ishte aq e madhe sa ajo pas vitit 1944.
Po kaq interesante dhe intriguese është edhe jeta e shkrimtarit. Ai lindi në Leusë të Përmetit. Shkollën fillore e kreu në fshat kurse të mesmen në Liceun e njohur të Korçës , studimet universitar i ndoqi në Francë. Kudo që punoi, në shollat ku dha mësim Nonda Bulka fitoi dashurinë dhe respektin e nxënësve, studentëve dhe kolegëve, “prania e Nondës në një rreth shoqëror sillte gëzim dhe hare” thoshte për të im at.
Në shtëpinë e tij të vogël mblidheshin shumë shokë dhe miq por më të afërt qenë Sterio Spasse, Mustafa Greblleshi, Zisa Cikuli etj.
Pak muaj para se të vdiste i dhanë shtëpi (një dhomë e kuzhinë) . Gjithë jetën ky shkrimtar i madh ishte ngujuar me një dhomë të vetme; në atë furrik punonte, krijonte, hante, flinte. E megjithatë çdo ngjarje sado të vështir ai do ta sfidonte me humor, do të gjente një batutë, një shaka për ta kapërcyer. Ishte pikërisht kjo natyra e tij e gëzuar që e bënte atë njeri të dashur dhe të afruar, me shumë miq e shokë.
Kur u kujtuan t’i jepnin apartament; një dhomë e kuzhinë, për të tashmë ishte vonë sepse ishte sëurë rëndë e pa shpresë. Pak muaj përpare se të vdiste e dekoruan. Edhe në këtë rast Nonda nuk e harroi Humorin “vdis pa të duam” -u tha shokëve që i shkuan për ta uruar, “por tani që më dekoruan, me ilaçe dhe humor do ta luftoj demonin që më ka kapur për gryke”. Chri-Chri, bilbili i Përmetit mbylli sytë më 14 nëntor të vitit 1972. Kjo humbje e madhe thuajse u kalua në heshtje.
Trashëgimia letrare e Nonda Bulkës u botua një herë të vetme në vitin 1980. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Muzafer Xhaxhiu, bëri përzgjedhjen më të mirë të mundshmen , më përfaqësuesen, shoqëruar me një studim të plotë të veprës dhe jetës së Nonda Bulkës duke vlerësuar atë me superlativë. Por kjo nuk ndodhi në tekstet dhe studimet e tjera.
Veçanërisht të bën përshtypje karakterizimi dhe vlerësimi tepër i thatë që i është bërë shkrimtarit në Fjalorin enciklopedik apo në “Historinë e Letërsisë Shqipe”. Gjithsesi tashmë Ai kishte fituar pavdekësinë në mendjen dhe zemrat e atyre që e kanë lexuar dhe do ta lexojnë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Korrik 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)