Alergjitë dhe astmat, Hoxha:
Kujdes po kthehen në epidemi

Alergjitë dhe astmat, Hoxha:<br />Kujdes po kthehen në epidemi
TIRANE- Sëmundjet e alergjive po kthehen në epidemi. Jo vetëm në botë, por dhe në vendin tonë,  1 në 4 fëmijë shfaq probleme të alergjive dhe gjysma e të prekurve rrezikojnë të vuajnë nga astma. Ndryshimi i stilit të jetesës dhe ndotja ka ndikuar në shtimin e sëmundjeve alergjike. Mjeku Alergolog, Mehmet Hoxha tregon se një prind sot duhet të dallojë alergjinë nga gripi sezonal, ajo zgjat më shumë dhe është më e shpeshtë.
 
Si paraqitet situata sa i përket nivelit të alergjive dhe cilat janë shkaqet që sjellin ato?
Sëmundjet alergjike janë kthyer në një sëmundje epidemike në të gjitha vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim. Dhe Shqipëria, ndryshe nga 10 vite më parë nuk kishte një shpeshtësi kaq të lartë të sëmundjeve alergjike, por sot ka një rritje shumë të lartë të tyre. Kjo vihet re si për astmën bronkiale, për rhinitin alergjik. Ka një sërë shkaqesh dhe arsyesh në lidhje me shpeshtësinë apo prevalencën e sëmundjeve alergjike.
 
Sa për qind e popullsisë rezulton se është e prekur?
Të themi një mesatare prej 5 deri në 7 % të popullsisë. Tjetër shpeshtësi kanë fëmije e vegjël dhe tjetër kanë të rriturit dhe kjo varet nga shumë faktorë. Një nga teoritë që është sot sa i përket faktorëve është edhe ajo e higjienës, pra sa më shumë infeksione në moshë të vogël, aq më pak alergji në moshë të rritur. Duke vazhduar me teorinë e dietës dhe kjo ka të bëjë me yndyrnat, sa më shumë yndyrna aq më shumë probleme me alergjitë. Por faktori kryesor që mendohet në rritjen e dukshme të sëmundjeve alergjike është ndryshimi total i stilit të jetesës. Largimi nga natyra dhe një jetesë më e mbyllur më e brendshme me më pak, kontakt me diellin, me më pak kontakt me ambientin, me një dietë shumë më të alternuar se dieta që ne kemi përdorur më parë. Dhe shkaktari kryesor i rritjes dhe shfaqjes së sëmundjeve alergjike është ndotja atmosferike.
 
Si shkakton ndotja atmosferike alergji apo astmë?
Grimcat e poleneve të cilat nuk janë të dëmshme në kontakt me ndotjen atmosferike fitojnë një transformim kimik të caktuar dhe kthehen nga grimca të buta të dobishme, në grimca të dëmshme agresive që provokojnë sëmundje alergjike.
 
Në moshat pediatrike çfarë mund të themi, si bëhet trajtimi i pacientëve të vegjël?
Sot në botë 1 në 4 fëmijë vuan nga një alergji, pra një prevalencë shumë e lartë. Tek moshat pediatrike kemi pesë grupe fëmijësh të cilët manifestojnë klinikë të ngjashme me astmën, por jo të gjitha janë astmë, por sëmundje shumë të përafërta me të. Ajo që mund të them tjetër është se sëmundjet alergjike janë shumë më të shpeshta te fëmijët në krahasim me të rriturit. Pse fëmijët përfundojnë në urgjencë? Për arsye se nuk diagnostikohen në kohë, kanë një paqartësi edhe nga ana e stafit mjekësor nëse është astmë, nëse është alergji, nëse është një infeksion i thjeshtë apo një infeksion viral. Trajtimi mbajtës tek fëmijët e vegjël është jo i rregullt, pasi ka edhe një farë tërheqjeje edhe nga ana e prindërve që nuk duan të pranojnë që fëmija i tyre është me astmë dhe duan të parapëlqejnë që ky fëmijë vuan nga një bronshit i thjeshtë apo nga një e ftohur e thjeshtë. Për këtë arsye, nuk kryhet mjekimi i rregullt i tyre dhe për pasojë edhe të shkuarit shpesh në urgjencë.
 
Çfarë duhet të bëjnë këta prindër?
Ajo që është primare është të konsultohen shumë më herët me mjekun në mënyrë që edhe diagnoza të vendoset më herët. Po kështu të konkludojnë nëpërmjet provave të alergjisë dhe provave të tjera nëse është astmë apo alergji dhe të marrin terapinë e duhur.
 
A janë të vështira për t’u shëruar këto sëmundje?
Sipas të gjitha udhëzuesve ndërkombëtarë, sëmundjet alergjikë janë 100% të kontrollueshme dhe është plotësisht e mundur që të behet një cilësi jete krejt normale si fëmija ashtu edhe të rriturit. Për tu shëruar është një fjalë e madhe për sëmundjet alergologjike, e vetmja terapi që jep shanset e shërimit në rastet më të mëdha është terapia imunospecifike.
 
A i plotëson sistemi ynë shëndetësor të gjitha këto nevoja? Sa të përgatitur janë mjekët e familjes për të dalluar këto simptoma?
Sistemi ynë shëndetësor ka një mirëorganizim sa i përket sëmundjeve alergjike. Për hir të të vërtetës edhe masa e rimbursimit dhe gama e ilaçeve për sëmundjet alergjike është shumë e konsiderueshme. Mund të themi se deri në 80 % të vlerës rimbursohet 100% nga shteti prej shumë vitesh. Problem është se nuk funksionojnë si duhet hallkat, pra mjeku i familjes nuk referon aq sa duhet tek specialisti i nivelit të parë, dhe po kështu specialisti i nivelit të parë tek specialisti i nivelit të dytë. Po kështu edhe specialisti i nivelit të dytë nuk transferon tek specialisti i nivelit të tretë. Dhe akoma më problem është ajo që pritet mbrapsht, domethënë rekomandimi i specialistit të nivelit të tretë jo gjithmonë ekzekutohet nga ai i nivelit të dytë, akoma më keq rekomandimi i specialistit të nivelit të dytë nuk ekzekutohet nga mjeku i familjes. Kjo për shkak të kufizimeve që ata kanë në përshkrimin e medikamenteve, duke mos përshkruar terapinë e duhur. E para për shkak të mosbindjes, dhe e dyta për shkak të kufizimeve nga protokollet. 

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024